Ambasadori Malaj: Shqipëria ka shumë arsye që të festojë krenare

21 nëntor 2023 | 21:13

Ambasada e Shqipërisë, në Prishtinë ka shënuar 111 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, krerët e opozitës, kryetar të komunave, artistë dhe te ftuar të tjerë.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj ka thënë se duhet të punohet bashkërisht drejtë një të ardhme më të mirë.

“Sot Shqipëria ka shumë arsye që të festoj krenare.  Krenare për forcimin e shtetit të së drejtës, anëtare e palëkundur e NATO-s, Këshillit të Sigurimit dhe UNESCO.  Secili prej jush të krenohet me të kaluarën tonë të lavdishme, të vazhdojmë të frymëzohemi nga 28 Nëntori 1912”, tha ambasadori Malaj.

Malaj, ka folur për rrugëtimin e gjatë të shqiptarëve në luftën e tyre për pavarësi dhe liri, e cila çoi në ngritjen e flamurit kombëtar më 28 nëntor në Vlorë.

Diplomati shqiptar përkujtoi se 28 Nëntori nuk është vetëm një datë e thjeshtë në kalendar, por një fener i identitetit kombëtar dhe një dëshmi e guximit të popullit shqiptar për të realizuar një Shqipëri të pavarur.

“Pikërisht në nëntor të vitit 1912, Ismail Qemajli ngriti flamurin në Vlorë duke e shpallur Shqipërinë shtet të pavarur e sovran, duke ndezur një flakë lirie, e cila shndrin edhe sot. Ishte një ëndërr e përbashkët dhe një zgjim kombëtar për të gjithë neve shqiptarët…Ata nuk luftuan vetëm për integritetin territorial të shtetit të pavarur shqiptar, por edhe për idealet që na përcaktojnë: lirinë, sovranitetin dhe të drejtën për të ndërtuar fatin tonë… Historia e pavarësisë së Shqipërisë nuk është e plotë pa pranuar edhe sakrificat dhe kontributin e shqiptarëve të Kosovës, të cilët kanë qëndruar gjithmonë të palëkundur në mbështetjen e tyre për çështjen e përbashkët kombëtare”, tha Malaj.

Presidentja, Vjosa Osmani në ceremoninë festive, tha se ndihet shumë e nderuar që në emër të popullit të përcjellë urimet më të ngrohta për Ditën e Pavarësisë.

 “28 nëntori, shënon njohjen e Shqipërisë si shtet, por kjo datë e kthen në kujtesë edhe 28 Nëntorin e 1443, kur Skënderbeu shpalli të parin projekt integrues evropian, kur shqiptarët e bartën vulën e tij. Në historinë e re të Kosovës ndërkaq, kjo datë shënon daljen e parë të UÇK-së dhe hapjen e një kaptine të re në betejën për liri të Kosovës. Por shënon edhe ditëlindjen e heroit tonë kombëtar Adem Jasharit, heroit tonë legjendar”, tha Osmani.

Ajo theksoi se Kosova dhe Shqipëria kanë synimet drejtë internimeve evropiane.

“Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e një rrugëtimi të përbashkët drejt integrimit euroatlantik. Ne ndajmë një dëshirë të fortë e të përbashkët për ta ndihmuar njëra-tjetrën, për të arritur synimet tona dhe për ta bërë këtë rajon një vend më të mirë për të gjithë. Sot ne ndihemi krenarë për arritjet tona të përbashkëta. Si Kosova, ashtu edhe Shqipëria kanë kaluar sfida të mëdha, por kemi bërë edhe progres të rëndësishëm. Bashkëpunimi ynë në mbrojte të integritetit, zhvillimit të institucioneve e të tjera, janë themele tona të përbashkëta. Kemi detyrimit të punojmë së bashku për brezat që vijnë pas nesh, duke ruajtur atë që kemi ndërtuar me mund e sakrifica. Së bashku do të japin kontribut duke ecur përkrahë njëra tjetrës”, theksoi Osmani.

Kryeministri Albin Kurti ka uruar për 111-vjetorin e shpalljes së shtetit shqiptar, duke thënë se 28 Nëntori është ditë e flamurit dhe bashkimit e pavarësisë së shtetit dhe fitores së popullit shqiptar.

“28 Nëntori është datë themeltare e pavarësisë. 28-shi i Skënderbeut, Ismajl Qemajlit e Adem Jasharit janë filli historik i shqiptarëve. Shumë gjak, lot e djersë janë derdhur që ne të përparojmë”, tha Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka filluar ndeshja mes Kosovës dhe Bjellorusisë, e vlefshme për…