‘Ambasadori Menzies ishte avokat i palëkundur për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës’
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka kujtuar ish-kolegun e tij ambasador, John Menzies, i cili dje ka ndërruar jetë.
Menzies kishte shërbyer menjëherë pas luftës në Kosovë, në pozitën e shefit të Zyrës Amerikane në Prishtinë.
Në llogarinë e vet në “Twitter”, Hovenier ka deklaruar se Menzies ka qenë avokat i palëkundur për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
“Jemi të mërzitur nga humbja e kolegut dhe diplomatit të shquar ambasadorit John Menzies. John ishte një avokat i palëkundur për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Si diplomat dhe mësues ai preku jetë dhe ndërtoi ura të qëndrueshme midis Ballkanit, Lindjes së Mesme dhe ShBA-së” ka shkruar Hovenier.
Menzies para se të vinte në Kosovë ka shërbyer si ambasador në Bosnjë e Hercegovinë.
Menzies që ka vdekur në moshën 74 vjeçare, për një kohë ka qenë në krye të Universitetit Amerikan në Kurdistan të Irakut.