Ambasadori Minxhozi vizitoi Gjakovën
Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin në mes të kësaj komune dhe Qeverisë së Shqipërisë.
Minxhozi dhe Gjini kanë vlerësuar lartë lidhjen tradicionale dhe bashkëpunimin në mes të Gjakovës dhe shtetit shqiptar, derisa janë zotuar që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje.
Kryetari Gjini dhe ambasadori Minxhozi janë pajtuar që Gjakova të vazhdojë të ofrojë shërbime për qytetarët e Shqipërisë, konkretisht për ata që vijnë nga rajonet e Tropojës dhe Hasit.
Gjithashtu ata janë pajtuar që Gjakova dhe Shqipëria të vazhdojnë projektet e përbashkëta me Bashkimin Evropian dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, projekte këto që kryesisht kanë të bëjnë me bashkëpunimin dhe bashkëveprimin ndërkufitar.