Ambasadori Minxhozi viziton KOSTT-in, vlerëson pavarësimin e rrjetit të energjisë

22 prill 2020 | 15:12

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka vizituar Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu  (KOSTT), ku është njoftuar nga afër me suksesin e arritur pas pavarësimit të rrjetit të energjisë elektrike, si dhe hapat e mëtutjeshëm drejt konkretizimit të marrëveshjeve të nënshkruara dhe zbatimin e iniciativave të përbashkëta me Operatorin e Sistemit të Transmetimit Shqiptar (OST).

“Ky ishte çelësi, i cili neve si KOSTT do të na mundësojë që të operojmë me të gjitha të drejtat e barabarta që na takojnë si Operator i Sistemit të Transmetimit, sipas standardeve evropiane për operim. Ne do të vazhdojmë tutje me implementimin e projekteve, siç janë: vënia në operim e linjës 400 kV Kosovë-Shqipëri projekt kapital i cili u bashkë financua me Qeverinë Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), operacionalizimi i Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri (Blloku AK), zbatimi i tregut të përbashkët të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri si dhe pjesëmarrja e KOSTT-it në Bursën Shqiptare të Energjisë, e njohur si APEX”, ka thënë Ilir Shala, drejtor i KOSTT-it.

Më tutje, Shala me bashkëpunëtorë kanë shprehur falënderimet e sinqerta për mbështetjen e vazhdueshme në këto procese të rëndësishme nga ana e Republikës së Shqipërisë dhe në veçanti për bashkëpunimin e frytshëm me homologët në OST-it në Shqipëri.

Ndërsa ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, ka përgëzuar Grupin Punues dhe gjithë punonjësit e KOSTT-it, për suksesin e arritur në votimin e marrëveshjes së re të kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E.

Ai ka shprehur mbështetjen e mëtutjeshme në proceset bashkëpunuese që pasojnë në mes të dy vendeve si dhe ka mirëpritur gatishmërinë për futjen në operim të plotë të linjës 400 kV Kosovë – Shqipëri, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së kyçjes, që është me interes si për sigurinë e furnizimit me energji elektrike ashtu dhe për sigurinë dhe besueshmërinë e sistemeve elektroenergjetike të Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit në përgjithësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, pas…