Ambasadori norvegjez Jens Erik Grondahl dhe deputeti Dugolli takojnë Zyberajn
Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore i Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, ka pritur sot në takim zyrtar ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, Enver Dugolli.
Zyberaj shprehu mirënjohje për takimin dhe me këtë rast i njoftoi mysafirët me të arriturat e deritashme të AShAK-së. ai foli për natyrën e punës në arkiv, për kushtet dhe për gjendjen aktuale të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, si dhe i informoi mysafirët për lashtësinë dhe sasinë e thesarit arkivor që ruan AShAK-ja. Për më tepër, ai vuri theksin te digjitalizimi si domosdoshmëri e kohës, proces që AShAK-ja e ka të pamundur ta bëjë për shkak të mungesës së buxhetit. “Po e theksoj këtë sepse vendi që përfaqësoni ju, shkëlqesi, ka dhënë një ndihmë të madhe për Kosovën në të kaluarën e afërt dhe, kur bëhet fjalë për digjitalizimin është vendi juaj që i kushton rëndësi dhe i dedikon investime të shumta këtij procesi”, ka thënë Zyberaj.
Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, Jens Erik Grondahl, shprehu falënderim për pritjen dhe takimin e sotëm e vlerësoi shumë. Ambasadori u pajtua plotësisht me atë që tha Zyberaj për digjitalizimin dhe shprehu gatishmërinë që pas këtij takimi të shikojë se cilat do të jenë ndihmat e vendit të tij për Arkivin e Kosovës. Ai u zotua që fillimisht do ta shikojë mundësinë që AShAK-së t’ia ofrojë përvojat e arkivave të vendeve të tij e pastaj edhe format e tjera që do të mund të konstatohen nga bashkëpunimi i tyre në të ardhmen.
Përpos takimit formal, shkëlqesia e tij, Jens Erik Grondahl, vizitoi dhe i pa së afërmi disa mjedise të punës në AShAK, si: vendruajtjen, laboratorin e digjitalizimit, laboratorin e restaurimit-konservimit, sallën e hulumtimit së bashku me Këndin Arkivor të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave – Shqipëri dhe bibliotekën.