Ambasadori O’Connelli njoftohet me të arriturat e universitetit “Ukshin Hoti”
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka vizituar Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.
Fillimisht është takuar me rektorin Ramë Vataj, ndërsa ka takuar edhe studentët e këtij universiteti me të cilët ka zhvilluar bashkëbisedim mjaftë përmbajtësor rreth zhvillimeve të përgjithshme në vend, por edhe për mundësinë e vazhdimit të studimeve në universitetet e Britanisë së Madhe.
Rektori Vataj e ka njoftuar ambasadorin me të arriturat dhe sfidat duke theksuar se UPZ-ja është universiteti i dytë publik në vend, ndërsa i pari i themeluar nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, Vataj e ka njoftuar ambasadorin O’Connell se në vitin akademik 2016/2017 ka nisë punën Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, me programet Agrobiznes dhe Shkencat e Pyjeve dhe Mjedisit për kuadro që ka nevojë tregu.
Rektori Vataj vëri në pah se universiteti “Ukshin Hoti” i ka kushtuar rëndësi bashkëpunimit me universitetet brenda dhe jashtë vendit, duke theksuar se aktualisht ka bashkëpunim me 51 universitete.
Vataj ka theksuar se edhe në ranglisten ndërkombëtare ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm, duke u ngritur për 6 mijë e 506 vende në krahasim me vitin 2014.