Ambasadori Peci kërcënohet me padi nga mbështetësit e shamisë
Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, është kërcënuar me padi për shkak të qëndrimeve të tij rreth çështjes së shamisë nëpër shkolla – temë që u hap së fundi.
Ai në “Facebook” ka shpërndarë mesazhin që iu drejtua se ai do të përballet me gjykatë për “shpifje dhe akuza të pabaza”.
“Lulzim Peci do t’i ofrojë gjykatës dëshmitë sapo kampanja #ndryshojeni_ua_për_shaminë të përfundojë. Në fakt do të dënohet për shpifjet dhe akuzat e pabaza. Ka ardhë koha që gjykatat me i eduku këta përhapës të shpifjeve dhe urrejtjes”, ka shkruar Durim Berisha në “Facebook” që, sipas të dhënave që ka publikuar në këtë profil, ka qenë këshilltar ligjor në Gjykatën Kushtetuese.
Kësaj deklarate të Berishës i është përgjigjur Peci, i cili tha se nuk ndalet së foluri për këtë çështje, derisa përmendi edhe kërcënimet me jetë.
“Nëse mendoni se përmes kërcënimit me gjykatë do të me ndalni që të merrem me këtë çështje që ka të bëjë me të ardhmen e gjeneratave të reja dhe shoqërisë në vendin tonë, shumë gabim e keni. Për sa i përket gjykatës, shihemi kur të doni, se atje ka çfarë të tregohet edhe për kërcënimet deri me jetë të përkrahësve tuaj, për të cilat ju, si protagonistë të kësaj kampanje keni përgjegjësi direkte!”, ka shkruar Peci.
Peci edhe më herët kishte shkruar rreth kësaj çështje, duke thënë se kampanja e filluar për heqjen e udhëzimit administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla fillore dhe të mesme ka të bëjë me futjen e islamit politik.
“Së pari duhet të shtrohet pyetja se çfarë agjende janë duke shtyrë ata që po e kërkojnë këtë gjë? A kemi këtu të bëjmë me të drejtat e njeriut, apo me atë qe e ka emrin e vërtetë – futjen e islamit politik përmes derës së vogël në institucionet shtetërore? Unë jam i bindur që ka të bëjë me të dytën, që në thelb ka të bëjë me ndryshimin e karakterit sekular të Kosovës që do ta shkatërrojë kohezionin shoqëror të popullit tonë”.