Ambasadori Rohde: Nuk ka garanci se në fund të dialogut Kosovën e njeh pesëshja mosnjohëse e BE-së
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde ka folur për angazhimin e Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Rohde në RTV Dukagjini ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe si dhe rolin e Gjermanisë në këto tema.
“Ne me këtë propozim po dëshirojmë që të dalim nga kjo krizë dhe nuk dëshirojmë të humbim shumë kohë. Duhet t’i tejkalojmë çështje si targat, apo largimin e serbëve nga institucionet, duhet të shohim një fotografi më të madhe të zgjidhjes së problemit”.
Ai tha se shpreson që Kosova do ta kapë momentumin dhe të ecim drejt këtij hapi të madh drejt normalizimit.
“Nuk duhet të shpenzojmë energji për çështje të tjera siç janë fushata për tërheqjen e njohjeve apo çështje tjera si targat apo stikerat. Këta probleme duhet të tejkalohen dhe të ecim tutje”.
Ambasadori gjerman tha se është mirë që disa gjëra po mbahen konfidenciale, në mënyrë që të mos akuzohen qeveritë në Kosovë apo Serbi.
Duke folur për pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, ambasadori Rohde ka thënë se as me marrëveshjen finale nuk mund të ofrohen garanci për këtë gjë.
“Nuk mund të garantojmë për vendimet e vendeve tjera të BE-së. As BE-ja nuk mund të garantojë për pozicionin e Gjermanisë për ndonjë çështje. Megjithatë ne po bëjmë përpjekje që të lëvizim të në drejtim të njohjeve nga këto vende.
Megjithatë nuk mund të ketë garanci ligjore se do të sjellim këto njohje. Edhe Lajçaku ka folur me shtetet mosnjohëse të Kosovës dhe kjo është një përpjekje e përbashkët ta çojmë këtë temë përpara”.
Rohde megjithatë thotë se nga përvoja e së kaluarës njohja do të vijë në fund të procesit.