Ambasadori rus “bën ligjin” në Kuvend të Maqedonisë, kryetari Gashi nuk mund ta pengon
Ambasadori i Federatës Ruse në Maqedoni të Veriut, Sergej Bezdnikin hyri në Kuvend dhe realizoi takim me dy deputetë nga partia E Majta, Dimitar Apasiev dhe Rexhep Ismail, shkruan Alsat.
Në njoftimin e deputetëve thuhen edhe arsyet përse u takuan.
“Nga deputetët tanë është theksuar se E Majta angazhohet për bashkëpunim të hapur me të gjitha fuqitë e mëdha që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë, përfshi edhe Rusinë. Vlerësojmë se zhvillimi i marrëdhënieve me Rusinë është e rëndësisë së veçantë për Maqedoninë sepse ky vend ofron mundësi të mëdha ekonomike, tregtare por edhe shkëmbime kulturore. Populli maqedonas nuk pajtohet me politikat e Qeverisë për sanksione ndaj Rusisë. Nga ana jonë u theksua se sanksionet e shtetit tonë me presion të NATO-së dhe BE-së janë të paarsyeshme dhe në kundërshtim me interesat e dyja vendeve”, thonë nga E Majta.
Por takimi me ambasadorin e shtetit i cili e ka shpallë Maqedoninë e Veriut vend armik nuk i pengoi kreut të Kuvendit, Afrim Gashi. Nga kabineti i tij na cituan nenin 23 të Ligjit për deputetët i cili garanton të drejtat e një ligjvënësi, duke shpjeguar se kërkesa për takim ishte e deputetëve të partisë E Majta. Për Gashin nuk ka rëndësi se ambasadori i një shteti armik, vazhdon agjendën e tij brenda shtëpisë më të lartë ligjvënëse në shtet.
“Kabineti i Kryetarit të Kuvendit nuk është i kyçur në përgatitjen e takimeve me deputetët, e që në këtë rast bëhet fjalë për takim me kërkesë të dy deputeteve ju drejtojmë atje për pyetjet tuaja”, thonë nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.
Sipas informacioneve të Alsat, nga dita kur Kuvendi miratoi deklaratën për dënimin e sulmeve ushtarake të cilat e rrezikojnë sovranitetin territorial dhe integritetin e Ukrainës më 3 mars të vitit 2022 në Kuvend ishte marrë vendimi që në aktivitetet brenda dhe jashtë Kuvendit të mos përfshihet askund delegacioni dhe ambasada ruse në Shkup.
Madje në rrethana jo zyrtare mësojmë se të paktën dy herë ish kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi kishte refuzuar tentativat e krye diplomatit rus në vend Sergej Bezdnikin për të realizuar takime brenda hapësirave të ligjvënësit në Shkup.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti nuk ia kishte idenë që në Kuvend ka takim. I pyetur për këtë, Mexhiti iu referua vetëm takimit të 27 shtatorit ku kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski priti në zyrë ambasadorin rus Sergej Bezdnikin. Përgjegjësia sipas tij në këtë rast është e këshilltarëve të VLEN në Kumanovë.
“Takimi ishte i nivelit lokal dhe për këtë duhet ta pyesni kryetarin e Komunës. Nuk janë politika të Qeverisë apo takime në nivel të Qeverisë. Nëse janë të tilla do të reagonim. Në këtë rast duhet që këshilltarët ta thonë qëndrimin e tyre”, tha Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i parë.
Fronti Evropian këtë vizitë dhe aktivitet të ambasadorit rus në vend e cilësoi si element që po devijon vendin nga partnerët strategjik.
“Tregon qartë për devijimin e partneritetit tonë më partnerët tanë strategjik që deri tani kanë qenë. Të gjitha këto ngrisin shqetësime tek qytetarët, opinioni por edhe partnerët tanë strategjik”, u shpreh Blerim Bexheti, Deputet i Frontit Evropian.