Ambasadori suedez: Kosova ka nevojë ta reklamojë veten
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se kompanitë suedeze kanë filluar ta shohin potencialin e Kosovës.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka thënë se Kosova ofron kushte të mira për tërheqjen e investimeve të reja, me taksa dhe paga të ulëta, por ka nevojë për më shumë marketing.
Ai ka thënë se interesimin më të lartë e ka parë nga kompanitë teknologjike suedeze dhe qendrat e thirrjeve (call centers).
Si shembull, ai ka përmendur inaugurimin e një kompanie të re suedeze në Kosovë “Sigma Technology Group”, javën e kaluar. Kjo kompani, siç ka thënë ai, po planifikon që t’i punësojë rreth 150 punëtorë në tri vitet e ardhshme në Kosovë.
Westerlund ka thënë po ashtu se sipas disa studimeve, shqipfolësit kanë tendencë ta flasin gjuhën angleze më mirë se vendet e rajonit dhe se pikërisht për këtë arsye kompanitë suedeze po i konsiderojnë më shumë Kosovën dhe Shqipërinë për hapjen e qendrave të thirrjeve.
Sipas tij, trendi i ri është që kompanitë e vendosura para 20-30 vitesh në vendet aziatike si India dhe Indonezia, kanë filluar të rivendosen në Evropën Juglindore.
Ai ka shtuar se është shumë i përkushtuar që ta rrisë tregtinë mes Kosovës dhe Suedisë.
“Ka pasur pak tregti mes Kosovës dhe Suedisë. Kompanitë kosovare janë mjaft të mira ne shitjen e produkteve në Austri, Zvicër dhe Gjermani. Kjo është edhe për shkak të diasporës. Edhe ne kemi një diasporë me kosovarë në Suedi, rreth 65 mijë njerëz. Prandaj, kjo është edhe puna ime dhe e ambasadorit të Kosovës në Stokholm, që të punojmë në këtë drejtim. Kemi filluar një odë nordike të tregtisë, vitin e kaluar. Para se të vija këtu, verën e vitit 2023, po mendoja se kemi një odë nordike të tregtisë në Beograd, një në Tiranë dhe Sarajevë, e pyeta veten pse jo edhe një në Kosovë”.