Ambasadori turk: Nëse dikush dëshiron të mësojë thellësisht për historinë e shqiptarëve, duhet t’i studiojë arkivat osmane

25 shkurt 2025 | 12:14

Instituti Albanologjik i Prishtinës ka organizuar konferencën shkencore me temë: “Kosova gjatë shekullit XIX: Një vështrim shkencor mbi dinamikat sociale”.

Studiues dhe historianë të pranishëm në këtë ngjarje kanë vlerësuar se zhvillimet e këtij shekulli kanë pasur ndikim në zhvillimin politik, shoqëror e kulturor në trevat shqiptare.

Shefi i degës së Historisë në Institutin Albanologjik, Nuredin Ahmeti, ka theksuar se historiografia shqiptare është e përqendruar kryesisht në zbardhjen e luftërave, kryengritjeve dhe betejave, për çfarë sipas tij është krijuar perceptimi se historia shqiptare është kryesisht histori luftërash.

“Historiografia shqiptare kur flasim për këtë shekull është përqendruar në zbardhjen e luftërave, kryengritjeve e betejave. Si rezultat i këtij trajtimi ka ndodhur disa herë që të dëgjojmë shprehjen se historia jonë është histori e luftërave. Padyshim se zbardhja e luftërave është në interes për të kaluarën dhe të tashmë tonë”, ka thënë ai.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Naim Berisha, ka thënë se shekulli i XIX është një nyje kyçe në zhvillimin politik, shoqëror dhe kulturor të trevave shqiptare.

“Shekulli XIX përfaqëson një nyje kyçe në zhvillimin politik, shoqëror dhe kulturor të trevave shqiptare. Përballja me reformat osmane, ndryshimet ne strukturën shoqërore dhe lëvizjet e rezistencës kombëtare krijuan dinamika të reja, ndikimet të cilat ndihen edhe sot”, ka thënë ai.

Më tutje, zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Arsim Ademi, e ka cilësuar shekullin e XIX  si një kohë të stuhishme dhe tranzicioni për Kosovën. “Shekulli XIX ka qenë një periudhë e stuhishme në historinë e Kosovës, një periudhë e tranzicioneve akute në të gjitha aspektet e jetës”, ka thënë Ademi.

Kurse Sabri Tunç Angili, ambasadori i Turqisë në Kosovë, ka prezantuar pikëpamjet e tij mbi natyrën e Perandorisë Osmane.

“Perandoria Osmane është para së gjithash, një shtet ballkanik. Pse e them këtë? Sepse, siç dihet, në Betejën e famshme të Kosovës në vitin 1389, pas 11 vitesh nga ajo betejë, Perandoria Osmane ishte në prag të një vdekjeje të parakohshme. Gjatë luftës së Ankarasë, sulltani i Perandorisë Osmane dhe djali i sulltan Muratit, i cili vdiq në Kosovë gjatë Betejës së Kosovës, me emrin Bajaziti, u kap nga perandori i famshëm mongol, Timuri. Në atë kohë, Perandoria Osmane ra në një lloj kaosi dhe përçarjeje që zgjati për 11 vjet, kryesisht në Anadoll. Por territoret e Perandorisë Osmane në Ballkan mbetën të paprekura, dhe rendi e stabiliteti në Ballkan në fakt e shpëtuan Perandorinë Osmane nga shpërbërja. Pas kësaj, shumica e burimeve të Perandorisë Osmane u përqendruan në gjeografinë ballkanike, dhe pjesa më e madhe e burimeve njerëzore për administrimin e Perandorisë Osmane erdhi nga popujt ballkanikë”, ka thënë ai.

Angili ka theksuar se nëse dikush dëshiron të mësojë thellësisht për historinë e shqiptarëve dhe historinë e Kosovës, duhet të studiojë me kujdes arkivat osmane.

“Dhe besoj se sot do të ishte shumë e frytshme një bashkëpunim mes Turqisë, Kosovës dhe Shqipërisë për të studiuar së bashku arkivat osmane, të cilat ndodhen në Stamboll. Jam i sigurt se kjo do të hapte horizonte të reja kërkimore për shumë profesorë dhe studentë që duan të studiojnë këtë periudhë historike”, ka thënë ambasadori Angili. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon ia ka prezantuar dëshmitarit…