Ambasadori verikorean në Itali “po fshihet”
Një diplomat i Koresë së Veriut, i cili deri së voni ka shërbyer si ambasador në Itali, po fshihet, bëri të ditur agjencia e spiunimit e Koresë së Jugut.
Ligjvënësi jugkorean, Kim Min-ki, ka deklaruar se një zyrtar nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës e ka ndarë informacionin me deputetët jugkoreanë gjatë një seance me dyer të mbyllura.
Kim ka thënë se Jo Song-gil, ambasador i Phenjanit në Romë, dhe gruaja e tij e kanë lënë rezidencën në fillim të nëntorit, disa javë përpara se mandati i tij të përfundonte.
Njoftimi pason disa raporte të pakonfirmuara se Jo ka kërkuar azil në një shtet perëndimor.
Koreja e Veriut nuk ka komentuar ende mbi statusin e diplomatit.
Jo, 48 vjeç, është bërë ushtrues i detyrës së ambasadorit në Romë në tetor të vitit 2017, pasi Italia e ka dëbuar ambasadorin e atëhershëm, Mun Jong-nam, në shenjë proteste për një provë bërthamore që ka kryer Koreja e Veriut./rel/