Ambasadori Westerlund: Ka interesim nga kompanitë suedeze të investojnë në Kosovë

12 shkurt 2023 | 14:18

Ambasadori i Suedisë në Prishtinë, Jonas Westerlund, duke folur për marrëdhëniet ekonomike,  ka thënë se ka interesim nga kompanitë suedeze që të vijnë të investojnë në Kosovë.

Në një intervistë për “Telegrafin”, ambasadori Westerlund, ka thënë se është momenti i duhur të hapet Oda Suedeze e Bizneseve në Kosovë.

“Nëse keni qenë në ‘Albi Mall’, ‘H&M’ ka hapur dyqanin aty. Gjithashtu kemi kompaninë ‘Lindex’ që do t’i hap disa dyqane këtu në Kosovë. Ka interes nga kompanitë suedeze që të vijnë në Kosovë. Jam duke provuar që t’ua mbush mendjen kompanive suedeze që bëjnë procesimin e drurit, gjithashtu industrisë së mobiljeve dhe me këtë mendoj se mund të bëjmë shumë në këta dy sektorët”, ka thënë Westerlund.

Ai ka thënë se hapja e Odës Suedeze të Bizneseve do të nxiste që kompanitë nga ky vend të investojnë në Kosovë.

“Unë mendoj se duhet të janë disa organizata biznisore, si Oda Suedeze e Tregtisë, Oda Nordike e Bizneseve apo disa nga këto format e shoqatave të biznesit, që mund të ndihmojnë dhe informojnë ndërmarrjet suedeze se si mund të hapin biznese në Kosovë. Është shumë e rëndësishme”.

“Shikojeni Gjermaninë për shembull, kemi shoqatat e biznesit që janë mjaftë të suksesshme, Austria po ashtu e ka Odën e Tregtisë, Australia kohëve të fundit ka hapur Odën e Tregtisë në Prishtinë. Shumë gjëra po ndodhin dhe mendoj se është momenti i duhur që të hapet Oda Suedeze e Bizneseve apo Oda Nordike e Bizneseve së bashku me Ambasadën norvegjeze dhe finlandeze. Kjo do t’i nxiste më tepër bizneset suedeze”, ka thënë Westerlund.

Më tutje, ambasadorit suedez, ka thënë se kompanitë e teknologjisë janë në kërkim të parterëve dhe sipas tij, Kosova do të jetë vendi i ardhshëm për këto biznese.

“Kemi pasur bashkëpunim me shumë kompani në Ukrainë dhe pas agresionit rus, ato kanë shprehur interesin që të gjejnë vende tjera në Evropë për kompanitë suedeze të IT-së që të fillojnë bashkëpunimin dhe unë mendoj që Kosova do të jetë vendi i ardhshëm pasi që është mjaftë e avancuar në qasjen në internet dhe ekspertizë të IT-së”, ka thënë ambasadori suedez.

Westerlund ka treguar se Suedia është donatori i pestë më i madh në Kosovë, që nga përfundimi i luftës më 1999.

“Jemi shumë krenarë që jemi donatori i pestë më i madh në Kosovë dhe që kemi qenë këtu që nga përfundimi i luftës më 1999 dhe një nga sektorët që kemi qenë të fokusuar është zhvillimi ekonomik. Një program që aktualisht ne e kemi është mbështetja e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, me qëllim të mbështetjes së bizneseve duke garantuar kreditë”, ka thënë Westerlund.

Në këtë intervistë, ambasadori Westerlund po ashtu ka folur edhe për investimin e kompanisë “Ericsson” në modernizimin e rrjetit të Telekomit të Kosovës dhe potencialet turistike të vendit tonë për mundësitë që suedezët ta konsiderojnë vendin tonë si destinacion për rekreacion.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Steven Gerrard është shumë i interesuar për të marrë drejtimin…