Ambasadori William Walker, vizitë në shtëpinë e Sala Jasharit në Prekaz
Ambasadori William Walker, ka vizituar familjen e Sahit e Musë Jasharit në Prekazin Heroit. Kështu ka bërë të ditur Sala Jashari e cila është kandidate për deputete nga radhët e PDK-së dhe garon me numrin 9 në listën zgjedhore të 9 shkurtit.
Njoftimi i plotë i 9-shes së PDK-së:
Prekazi dhe Reçaku janë dy nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më simbolike të historisë së Kosovës, që kanë formësuar rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë. Në Prekaz, u shfaq një rezistencë heroike, një manifestim i guximit dhe sakrificës për të mbrojtur lirinë. Ndërsa në Reçak, me humbjen tragjike të 45 martirëve, fjala e dhënë nga William Walker luajti një rol vendimtar.
Fjalët e tij, të kombinuara me një diplomaci të fuqishme, shërbyen si një alarm ndërkombëtar që nxitën ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, duke e hapur rrugën për lirinë që ne gëzojmë sot.
Në takimin tim të fundit me Ambasadorin Walker, pata nderin të shpreh mirënjohjen time të thellë për angazhimin e tij të paepur dhe për rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur në këtë periudhë të vështirë për Kosovën. Integriteti i tij dhe angazhimi për të thënë të vërtetën para botës janë vlera që do të mbeten të paharrueshme.
Mbi të gjitha, William Walker do të mbetet gjithmonë një nga anëtarët tanë më të nderuar të familjes. Ai është një mik dhe një aleat i Kosovës, dhe do të jetë gjithmonë një simbol i qëndrueshmërisë dhe mbështetjes ndërkombëtare për popullin tonë.
https://www.facebook.com/share/v/185x3JZnyF/?mibextid=wwXIfr