Ambasadori Wolfgang Petritsch përkrah Thaçin për “korrigjimin e kufijve”
Një debat interesant është zhvilluar në mes dy “ujqve të vjetër” të politikës botërore në Ballkan, ekspertit amerikan Daniel Server dhe ambasadorit austriak dhe ish- përfaqësuesit special të BE-së për Ballkanin, Wolfgang Petritsch.
Derisa Server në një shkrim para disa ditësh ka kundërshtuar ashpër idetë për shkëmbime etnike të territoreve në mes Serbisë dhe Kosovës, ambasadori Petriq ka befasuar me një koment që ka postuar në faqen e Serverit, duke lënë të ditur se ka njohuri të thellë për marrëveshjen që po negociohet në mes të presidentit Thaçi dhe Vuçiqit.
Wolfgang Petritsch i ka thënë Serverit se “nëse ka korrigjime të kufijve, ato do të jenë të vogla dhe kozmetike, që afektojnë një numër të vogël fshatrash në Bujanoc dhe Mitrovicë. Kjo nuk do ta ndryshon përbërjen etnike të asnjërit shtet dhe nuk do të ketë pasoja zinxhirore”.
Më tutje, ambasadori Petritsch e ka lavdëruar Serverin duke i thënë se “analiza jote është e shkëlqyer, por se ka ardhur koha”, për siç ka theksuar ambasadori i njohur austriak, “realizmin e ri në Ballkan”, raporton “lajmi.net”.
Sipas Wolfgang Petritschit rreziku i vërtetë në Ballkan vjen nga ndikimi rus dhe hungarez në pasazhin medial, aventurat neo-otomane të liderit boshnjak, Bakir Izetbegoviq, pastaj investimet arabe në Serbi dhe Bosnje si dhe mbi të gjitha “zgjerimi i shpejtë i ndikimit kinez në Evropën Juglindore”.
Ai ka thënë se formati kinez “Evropa Lindore + 1” dhe “Rruga e Mëndafshtë” që po promovohet nga Kina janë sfidat e vërteta për Ballkanin dhe BE-në.
Prandaj Wolfgang Petritsch ka ftuar për përkrahjen e “linjës se marrëveshjes Thaçi – Vuçiq”. Ai ka theksuar se është “i vetëdijshëm me dhembje të thellë për dëshpërim”, por se “kohërat janë duke ndryshuar”.