Ambasadorja amerikane i bën thirrje Pakistanit të mos i mbrojë terroristët
Ambasadorja amerikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Nikki Haley, ka thënë të enjten se shteti i saj i ka bërë thirrje Pakistanit të mos strehojë terroristë.
Ajo ka thënë se Pakistani ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara, mirëpo Uashingtoni nuk mund të pranojë asnjë qeveri që mbron terroristë.
“Jemi duke i dërguar këtë mesazh Pakistanit në mënyrë më të theksuar sesa në të kaluarën dhe shpresojmë se do të shohim ndryshime”, ka thënë Haley gjatë vizitës së saj në Indi.
Bashkëpunimi me Pakistanin është cilësuar si çelës për sukses të politikës së presidentit amerikan, Donald Trump në Afganistan.
Pakistani është nën presion nga Uashingtoni dhe qeveria afgane për të ndaluar strehat e sigurta për militantët, që fajësohen për sulme në Afganistan, raporton “Rel”.
Pakistani kundërshton vazhdimisht këto akuza, njëjtë siç insiston se ndikimi i tij ndaj talibanëve është zmadhuar.
India po ashtu ka fajësuar grupin pakistanez, Lashkar-e-Taiba, për sulme në Mumbai në nëntor të vitit 2008, që kanë lënë të vdekur 166 persona.
Nga ajo kohë, ShBA-ja e ka vendosur këtë grup në listën terroriste.
Haley ka vizituar Indinë për herë të parë, prej kur ka fituar pozitën e ambasadores amerikane në OKB më 2017.
Ajo është takuar me kryeministrin, Narendra Modi dhe ministrin për Çështje të Jashtme, Sushma Swaraj, ditën e mërkurë.