Ambasadorja Çitaku në OKB: Serbia nuk ka veto në transformimin e FSK-së

14 maj 2018 | 17:33

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Vlora Çitaku, duke folur në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ka thënë se Beogradi po i pengon serbët që të integrohen në institucionet e shtetit tonë.

Duke folur në një kohë kur Kosova është në periudhën e përkujtimit të përvjetorëve nga lufta e fundit në Kosovë, ambasadorja Çitaku ka thënë se pajtimi nuk mund të ndërtohet me narrativa të rrejshme.

“Kemi kaluar nëpër shumë periudha, duke filluar nga periudha e gjatë e shtypjes dhe shkeljes sistematike të të drejtave të njeriut që kanë kulmuar me spastrim etnik. Përkundër kësaj kemi arritur t’i rindërtojmë jetët tona nga zero. Njerëzit janë të bashkuar në kujtimin e sakrificës së të rënëve. Afërsisht 30 mijë të rinj do të diplomojnë në shkollat e mesme. Këta janë gjenerata e parë që kanë lindur pas luftës, janë të rinj që kanë lindur të lirë dhe nuk dinë çka është frika. Kanë lindur të lirë dhe do të jetojnë të lirë. Pajtimi nuk mund të ndërtohet me narrativa të rrejshme. Sa herë që vijë këtu e ndjej veten të detyruar t’ju përkujtoj të gjithëve se çka ka ndodhur në zemër të Evropës, qindra mijëra të vrarë e të masakrua. Të gjitha këto janë bërë nga makineria shtetërore serbe”, ka thënë Çitaku duke iu referuar deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

“Është shumë shqetësuese të dëgjojmë histori revizioniste nga fqinji ynë verior. Koha ka ardhur që kjo të përfundojë”, ka deklaruar ambasadorja Çitaku, raporton “kallxo.com”.

Më tutje, ajo ka kritikuar raportin më të ri të OKB-së rreth dhunës seksuale, në të cilin, sipas saj Kosova nuk është përfshirë fare.

“Kosova nuk është përfshirë në raportin e OKB-së për dhunën seksuale gjatë luftës. Përkundër ekzistencës së dhunës seksuale, kryesit e këtyre krimeve asnjëherë nuk kanë dalë para drejtësisë”, ka thënë Çitaku.

Ambasadorja e Kosovës ka denoncuar edhe presionin që politika në Serbi po i bën pjesëtarëve serbë të FSK-së. Në këtë kontekst, ajo ka thënë se Serbia nuk ka veto në çështjen e transformimit të FSK-së.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë mbledhjes së…