Ambasadorja Çitaku i reagon Erdoganit: Parlamenti dhe qytetarët e Kosovës e zgjedhin kryeministrin
Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Vlora Çitaku, i ka dalë në mbrojtje kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, pas deklaratës së presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, i cili kërcënoi Haradinajn për shkak të qëndrimit të tij kundër deportimit të shtetasve turq.
Çitaku përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook” ka shkruar se Parlamenti dhe qytetarët e Kosovës e zgjedhin kryeministrin.
“Parlamenti dhe qytetarët e Kosovës e zgjedhin kryeministrin”, ka shkruar Çitaku.
Erdogan ka deklaruar sot është i brengosur me vendimin e kryeministrit Haradinaj për të shkarkuar ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi, për shkak të arrestimit dhe më pas të deportimit në Turqi të gjashtë shtetasve turq.
Presidenti turk ka thënë se Haradinaj “do të paguajë” për këtë, duke shtuar se “prej kur ke filluar që të mbrosh ata që punojnë për të bërë grushtshtet kundër Republikës së Turqisë?”. /Epoka e re/