Ambasadorja Çitaku sërish mbron Kosovën, të kaluarën dhe të tashmen e saj

25 prill 2020 | 08:57

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, u është përgjigjur në gazetën “The Washington Times” sulmeve që i janë bërë Kosovës aty ditë më parë në një shkrim të gjatë e jashtëzakonisht të keq për shtetin dhe popullin e Kosovës.

J. Michael Waller, në një opinion publikuar në të njëjtën gazetë para katër ditësh, ka bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta braktisin Kosovën, teksa e ka quajtur vendin çerdhe të xhihadistëve.

E ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se “Kosova e ka gëzuar gjithmonë mbështetjen dypartiake në Shtetet e Bashkuara”.

“Kur shumë pak njerëz mund ta gjenin Kosovën në hartë, ishte Bushi ai që tërhoqi vijën e kuqe dhe Shtetet e Bashkuara i kanë qëndruar pranë popullit të Kosovës që atëherë”, ka shkruar Çitaku, duke iu referuar qëndrimit të presidentit amerikan më 1992.

Çitaku ka kujtuar edhe ndihmën e presidentit Bill Clinton më 1999, teksa Serbia po bënte gjenocid në Kosovë.

“Shtetet e Bashkuara udhëhoqën sulmet ajrore të NATO-s që i dhanë fund regjimit të terrorit në Kosovë”, ka shkruar ajo.

“Edhe një herë, ishin miqtë tanë amerikanë që na shpëtuan”, është shprehur Çitaku.

“Kur erdhi koha që ne të pavarësoheshim, ishte presidenti George W. Bush, i cili, më 2007, tha: ‘Boll është boll, Kosova e pavarur’. Dihet, Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt, 2008”, ka shkruar ambasadorja e Kosovës.

“Demokracia nuk është e lehtë, por Kosova ka dëshmuar që mundet. Me ndihmën e administratës Obama, vendi ynë ka bërë hapa të mëdhenj drejt të qenët më e integruar në komunitetin ndërkombëtar”, është shprehur ambasadorja Çitaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje,…