Ambasadorja Demiri: Qytetarët e Kosovës në Izrael janë të sigurt

14 maj 2021 | 13:21

Ambasadorja e Kosovës në Izrael, Ines Demiri, ka thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në Izrael janë të sigurt.

“Të gjithë kosovarët që jetojnë në Izrael janë të sigurt”, ka thënë ambasadorja shkurt për “Albanian Post”.

Por, Demiri nuk ka dhënë më shumë detaje rreth vendndodhjes së tyre në Izrael. “Të lutem të gjitha pyetjet dërgojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme”, ka thënë ajo.

Gati që dy javë kanë filluar përleshjet e dhunshme në Jerusalemin Lindor dhe kanë nxitur luftimet më të ashpra në vitet e fundit në mes të Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës, e si pasojë kanë vdekur dhjetëra persona.

Ndërsa shteti i Izraelit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në qytetin qendror të Lod-it pas trazirave të ndodhura ditët e fundit.

Dy ditë më parë Bashkimi Evropian ka kërkuar që luftimet në Gaza të ndalen. “Shkallëzimi i rëndë në Izrael dhe Territorin Palestinez, përfshirë dhunën e madhe në dhe përreth Gazës, duhet të ndalet”.

Në deklaratë është thënë se BE-ja është e tronditur nga numri i madh i vdekjeve dhe plagosjeve, përfshirë fëmijët.

“Prioriteti duhet të jetë mbrojtja e civilëve. Të gjitha përpjekjet duhet të drejtohen në shmangien e viktimave civile dhe mbështetjen e uljes së dhunës në rajon”, është thënë në deklaratën e BE-së.

Konflikti izraelito-palestinez është një nga konfliktet më të zgjatura në historinë e njerëzimit. Izraeli është shteti i vetëm hebre në botë, i vendosur në lindje të Detit Mesdhe.

Palestinezët, popullata arabe që vjen nga toka që Izraeli kontrollon tani, i referohen territorit si Palestinë dhe duan të krijojnë një shtet me atë emër. Konflikti izraelito-palestinez, me pak fjalë qëndron në atë se kush e merr atë tokë.

Lufta e vitit 1948 solli largimin e 700 mijë palestinezëve nga shtëpitë e tyre, në atë që këto të fundit e quajnë Nakba, “katastrofë”.

Tensionet shpesh janë të larta midis Izraelit dhe palestinezëve që jetojnë në Jerusalemin Lindor, Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarë të Bashkimit Evropian kërkuan që blloku t’i përgjigjet më…