![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/10/thumbnail_Foto.jpg)
Ambasadorja e Francës ofron përkrahje për institucionin e Prokurorit të Shtetit
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur në takim ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, e cila ishte e shoqëruar nga gjyqtarja ndërlidhëse për Evropën Juglindore e Ministrisë Franceze të Drejtësisë, Emmanuelle Legrand.
Kryeprokurori Lumezi fillimisht i ka informuar ambasadoren Butel dhe gjyqtaren Legrand për funksionimin, organizimin dhe reformat e vazhdueshme në sistemin prokurorial, si dhe për punën e Prokurorit të Shtetit në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.
Tema të rëndësishme të diskutimit në këtë takim ishin edhe fuqizimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, shkëmbimi i përvojave në fushën e drejtësisë në mes të dyjave vendeve, veçmas ndërmjet prokurorëve kosovare dhe atyre francez në çështje të interesit të përbashkët, si dhe avancimi i kontakteve dhe bashkëpunimit ndër-institucional.
Në këtë drejtim, ambasadorja Butel dhe gjyqtarja Legrand kanë shprehur mbështetjen dhe gatishmërinë e tyre për ta ndihmuar institucionin e Prokurorit të Shtetit në thellimin e bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë në Francë.
Në fund të takimit, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka falënderuar ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie – Christine Butel dhe gjyqtaren, Emmanuelle Legrand për vizitën, respektin dhe interesimin e treguar për sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.