Ambasadorja e Kosovës në Panama dorëzoi letrat kredenciale në Saint Kitts dhe Nevis
Ambasadorja Kosovës në Panama, Zana Rudi, i ka dorëzuar sot letrat kredenciale tek Guvernatori i Përgjithshëm i Federatës së Saint Kitts dhe Nevis, Sir Tapley Seaton.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Ambasadorja Rudi tanimë si Ambasadore e parë e Kosovës në rajonin e Karaibeve shprehu falënderimet e Qeverisë dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës për njohjen dhe mbështetjen dhënë Kosovës nga Federata e Saint Kitts dhe Nevis nëpër vite.
Duke ia përcjellë përshëndetjet e presidentit Thaçi, Guvernatorit të Përgjithshëm, Sir Tapley Seaton, ambasadorja Rudi theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit të shumanshëm mes dy shteteve. Ambasadorja Rudi, po ashtu, shprehu vullnetin e shtetit të Kosovës për avancimin e marrëdhënieve bilaterale me Federatën e Saint Kitts dhe Nevis në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Nga ana e tij, Guvernatori i Përgjithshëm i Federatës së Saint Kitts dhe Nevis, Sir Tapley Seaton, shprehu përkushtimin për përkrahjen e vazhdueshme të vendit të tij për Kosovën. Ai, gjithashtu, theksoi përkushtimin e institucioneve të Saint Kitts dhe Nevis për bashkëpunim bilateral dhe mbështetjen e Kosovës në kuadër të organizatave multilaterale.
Në ditët në vazhdim, ambasadorja Rudi do të zhvillojë takime edhe me Kryeministrin Timothy Harris dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme, njëherësh udhëheqës i Ishullit Nevis, Mark Brantley, ku do të diskutohet për mundësitë e fuqizimit të relacioneve ndërshtetërore dhe bashkëpunim e përafrim ndërmjet dy vendeve dhe qytetarëve.
Saint Kitts dhe Nevis e ka njohur pavarësinë e Kosovës në nëntor të vitit 2012. Në mars 2016 Kosova dhe Saint Kitts dhe Nevis kanë nënshkruar marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve. Dorëzimi i letrave kredenciale shënon thellim të mëtejmë të relacioneve miqësore dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve.