Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë: Konsensusi politik, jetik për procesin e integrimit
Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, i prirë nga kryetari Haki Abazi, ka pritur të martën në takim, ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq, me të cilën ka diskutuar lidhur me marrëdhëniet bilaterale, ndikimin e situatës në Ukrainë, zhvillimet në rajon, si dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.
Në fillim të këtij takimi, kryetari i këtij komisioni Haki Abazi ka falënderuar ambasadoren Barishiq dhe shtetin që ajo përfaqëson, për ndihmën e ofruar vendit tonë.
Në vijim, Abazi foli për marrëdhëniet miqësore ndërmjet të dyja vendeve dhe e siguroi atë se ky bashkëpunim do të vijojë ngushtë edhe në të ardhmen.
Lidhur me bashkëpunimin e ndërsjellë, kryetari Abazi, si dhe anëtarët e tjerë të komisionit u fokusuan në bashkëpunimin ndërparlamentar, me theks të veçantë atë të komisioneve të së njëjtës fushë.
Kryetari i Komisionit, Abazi, pasi foli për gjendjen e sigurisë, e cila sipas tij, pas agresionit rus në Ukrainë, u cilësua si jostabile, vlerësoi se bashkëpunimi duhet të jetë edhe më i madh.
Në kuadër të kësaj, ai kërkoi që Kroacia të vazhdojë të mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj në rrugën e integrimit evropian, sidomos anëtarësimin në KE.
Ai po ashtu vlerësoi dhe shprehu bindjen se edhe bashkëpunimi ekonomik do të vijojë sikurse që është shënuar gjer më tani.
Ambasadores Barishiq dhe shtetit të saj, mirënjohje i shprehën edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, Xhavit Haliti, Time Kadrijaj dhe Gazmend Gjyshinca, të cilët u shprehën të bindur se ky bashkëpunim do të vijojë edhe në të ardhmen.
Ambasadorja Barishiq, ndërkaq, pasi falënderoi anëtarët e komisionit për pritjen, u shpreh: “Përkrahja e Kroacisë ndaj Kosovës do të vijojë edhe në ardhmen, duke u bazuar në themele të forta të miqësisë”.
Në vijim, ajo solli përvojat e shtetit kroat, si dhe sfidat në rrugën e integrimit të Kroacisë në BE dhe në NATO.
Lidhur me këtë, ajo u shpreh se lufta kundër korrupsionit, por mbi të gjitha, konsensusi politik, është jetik gjatë procesit të integrimit.
Ky komision të martën ka shqyrtuar dhe përkrahur në parim edhe Projektligjin për zbatimin e sanksioneve financiare ndërkombëtare të shenjëstruara.