Ambasadorja Geci-Sherifi dorëzoi kredencialet te Mbreti Suedisë
Ambasadorja e Republikës së Kosovës, Shkëndije Geci-Sherifi, i ka dorëzuar Letrat Kredenciale Mbretit të Suedisë Lartmadhërisë së Tij, Carl Gustaf XVI, nëpërmjet një ceremonie shtetërore, e cila u zhvillua në Pallatin Mbretëror Kungliga slottet në Stokholm.
Me këtë rast, ambasadorja, Geci-Sherifi, i përcolli përshëndetjet e kreut shtetëror të Republikës së Kosovës për Lartmadhërinë e Tij dhe për popullin suedez.
Në vazhdim, ajo ka thekuar se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Suedisë janë të shkëlqyera, duke shprehur mirënjohjen e thellë për përkrahjen, që Suedia e ka dhënë për pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Ambasadorja Geci-Sherifi, gjithashtu u zotua se do të kontribuojë maksimalisht në kultivimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të raporteve në mes të dy vendeve mike, në të gjitha fushat e interesit bilateral.
Ky është mandati i tretë i ambasadores Geci-Sherifi, e cila më parë ka shërbyer si ambasadore e Republikës së Kosovës në Hungari dhe Kroaci me ç’rast është dekoruar nga të dy presidentët e këtyre shteteve për punë të shkëlqyer në promovimin e marrëdhënieve dypalëshe.
/Epoka e re/