Ambasadorja izraelite në Kosovë falënderon Edi Ramën për mbështetje
Ambasadorja izraelite në Kosovë, Tamar Ziv, ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për mbështetjen e tij duke rishpërndarë postimin në platformën “X” të Isaac Herzog, president i Shtetit të Izraelit gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri.
“Ju faleminderit kryeministër Edi Rama për mbështetjen dhe miqësinë dhe mesazhin tuaj shumë të qartë”, ka thënë ambasadorja Ziv.
Ndërkaq, presidenti Isaac Herzog, ka shkruar: “Faleminderit kryeministër i Shqipërisë, miku im i dashur Edi Rama për pritjen tuaj të ngrohtë, për miqësinë dhe mbështetjen tuaj historike. Që nga ajo ditë e errët, e 7 tetorit të vitit të kaluar, Shqipëria e ka vendosur qëndrueshëm veten në anën e duhur të historisë, duke treguar herë pas here se ju qëndroni me popullin e Izraelit teksa ne luftojmë për të mbrojtur kufijtë tanë dhe qytetarët tanë. Edhe sot, 101 pengje mbahen në mizori nga Hamasi, në shkelje të rëndë të çdo norme humanitare dhe etike. Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për t’i sjellë ata në shtëpi. Të gjithë ata. Urgjentisht. Faleminderit për fjalët tuaja të rëndësishme që thatë sot”.