Ambasadorja Nazane Breca priti në takim gazetarin dhe publicistin e njohur Nuhi Bytyçi
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bernë, Nazane Breca, e shoqëruar nga Mustafë Xhemaili, mnistër këshilltar, priti në takim gazetarin e publicistin e njohur dhe autorin e “Librit të luftës“, Nuhi Bytyçi.
Gjatë takimit ambasadorja Breca e informoi Bytyçin lidhur me punën e ambasadës së Kosovës dhe veçmas me bashkëpunimin me institucionet shtetërore zvicerane dhe kryerjen e shërbimeve të ndryshme të qytetarëve të Kosovës që jetojnë e punojnë në Zvicër.
Nuhi Bytyçi ia dhuroi ambasadores Breca veprën “Libri i luftës“, botuar kohë më parë.
Ambasadorja e falënderoi autorin e librit dhe e përgëzoi për punën e tij profesionale në shërbim të informimit të opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe në trojet e tjera etnike shqiptare gjatë periudhës 40 vjeçare, sidomos gjatë periudhës së luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Publicistin Nuhi Bytyçi, ambasadorja e uroi edhe për përmovimet që do t’i bëhen “Librit të Luftës“ këto ditë para mërgimtarëve tanë, të organizuar nga Ambasada dhe dy konsullatat tona në Cyrih dhe në Gjenevë.
/Epoka e re/