Ambientalistët në Buenos Aires kundërshtojnë privatizimin e ujit
Me pankarta ku shkruhej “Uji nuk duhet të jetë privilegj”, qindra ambientalistë protestuan në Buenos Aires kundër privatizimit të Ujësjellësit, kundër minierave dhe djegies së pyjeve, në Ditën Botërore të Ujit.
Aktivistët u mblodhën përpara Kongresit, ku shpalosën posterët e tyre dhe më pas marshuan përmes qendrës së kryeqytetit përpara selisë së qeverisë.
Marshimi u thirr nga një grupim i gjerë i organizatave shoqërore, mjedisore dhe politike.
“Situata me ujin në Argjentinë është shumë delikate sepse uji u është dorëzuar korporatave për disa vjet. Ne i quajmë ato korporata plaçkitëse sepse, për shembull, ata vijnë për dëmtuar malet tona me dinamit dhe për të ngritur mega-miniera,” tha Mariela Silverstein një prej protestuesve.
Protesta u organizua edhe kundër minierave në shkallë të gjerë dhe ankesave kundër zjarreve që shkatërruan mijëra hektarë në muajt e fundit.
“Ata duhet të kuptojnë që uji është një burim themelor për jetën dhe se pa marrë parasysh se çfarë çmimi përpiqen t’i vendosin, vlen më shumë se gjithçka”, tha një aktivist 27-vjeçar nga Rrjeti Ekosocialist.
Në qytetin e Buenos Aires, ku jetojnë 2.8 milionë njerëz, “një në çdo shtatë banorë nuk ka ujë të pijshëm”, tha María Eva Koutsovitis, inxhiniere.
Sipas saj, rreth 400 000 banorë të kryeqytetit nuk kanë ujë të pijshëm, “duke ulur jetëgjatësinë dhe duke dyfishuar vdekshmërinë foshnjore”./oranews/