“Amerika”

05 gusht 2023 | 15:29

Altin N. Ademi

“Amerika”, kjo fuqi e supremaci botërore, shpresa më e madhe e një pjese të botës dhe armiku më i madh i pjesës tjetër, emër pas së cilit rrokën të gjithë, qoftë duke e satanizuar, qoftë duke e respektuar, padyshim se është një vend që universalisht kuptohet si “diçka” përmes së cilës, ne gjejmë modelin dhe standardin e modernitetit tonë si qytetërim. Dhe me këtë model, flirtojnë të gjithë. Veçmas politikanët.

Zakonisht, në kremten e 4 korrikut, liderë e politikanë, qendror e inferior, do t’i gjesh përplot urime e konsiderata për SHBA-në. Madje, si rrallë kund tjetër, më të zëshmit i gjen në Kosovë. Dhe ka arsye të mëdha e të bazuara, se përse 4 korriku i SHBA-ve është një manifestë për shoqërinë kosovare dhe institucionet e saj. Pa ndihmën e SHBA-ve, do të kishim qenë ende një shoqëri, por jo tamam një shtet i mirëfilltë sovran në hartën politike të botës.

Amerika si emërtim politik që i referohet kryesisht SHBA-së dhe rrezatimit të saj, në gjuhën e partive politike të Kosovës, përfaqëson një paragraf të tërë me shkronja kapitale. Asaj i janë mveshur, atribuuar e përshtatur veprimet e përditshme politike që kanë karakterizuar skenën tonë në afër tre dekadat e fundit. Përgjithësisht në këto tre dekada, kemi parë preferenca të hapura ndaj Amerikës, ngjashëm siç së fundmi kemi parë e dëgjuar edhe kritika e kundërshtime ndaj saj. Por ajo çfarë e karakterizon këtë “klishe” shpesh herë elektorale, “Amerikën” në gjuhën e partive politike, nuk flet realisht asgjë për të, veçse kryesisht e përfundimisht, për ata që duan të përvetësojnë asocim me të.

Por çfarë është në të vërtetë “Amerika”? A janë pikëpamjet tona rreth saj, diçka që lidhen vetëm nga ideja e një superfuqie dhe një aleati apo edhe nga natyra e saj si shoqëri politike? Këto pyetje rëndom nuk shtrohen nga politikanët, e rrjedhimisht as nga ligjërimet e tyre përkatëse. Në mungesë të tyre, “Amerika” është rrëmbyer në retorikën e partive, për pjesën më të madhe duke qenë aleat, e së fundmi edhe me nuanca dyshimi ndaj aleancës me të.

Në të vërtetë, të dyja këto qasje që s’përfaqësojnë asgjë “amerikane” janë të shtruara gabimisht. Ata që dyshojnë në Amerikën, realisht nuk dyshojnë në të, por nuk e kuptojnë ngjizjen e saj politike, ose e kuptojnë dhe janë kundër parimeve mbi të cilat është ngjizur ajo. Ata që e marrin si të mirëqenë faktin se ajo është aleati ynë, nuk duan të shohin në brendësi të elementeve që përbëjnë këtë aleance, veçse në situata kontekstuale që iu përgjigjet këtyre të fundit.

Në qendër të këtij flirti me Amerikën, qëndron ideja për të “marrë diçka amerikane” dhe për ta katapultuar si vlerë që gjendet në mesin e politikanëve tanë. Ndonëse përfitimi nga Amerika është përfitim praktik, simbolik e elektoral, në esencë, “vlerat amerikane” për të cilat flasin politikanët kosovarë, nuk janë vlera me karakter të lirë universal. Megjithëse ato përbrendësohen tek çdo komb që ka aspiratë lirinë, pavarësinë dhe një sistem a regjim demokratik të qeverisjes, ato në thelb e kanë një shenjë dalluese e vetanake.

Por çka në të vërtetë janë këto “vlera amerikane” dhe pse ato në esencë, nuk janë aspak universale por thellësisht “amerikane”, fakt për të cilën shumë nga politikanët tanë nuk dinë e as nuk e kuptojnë.

Shpjegimi qëndron tek një faktor: Amerika është manifestim i një traktati idealist politik që është hartuar për t’iu shërbyer epokave, e jo pushteteve. Dhe kjo, më së miri kuptohet nëpërmjet trajektores së historisë.

Megjithëse kontinent i vjetër dhe i banuar shumë para se evropianët të vënin këmbë në të, kur ajo u zbulua dhe kur evropianët ia mësynë t’i sillen përqark, toka e saj u bë alternativë për një fillim të ri. Kështu, Amerika e sotshme është produkt i një filozofie politike unike. Baza e saj lidhet me zhvillimet që kanë ndodhur në Evropë në periudhën para industriale, kur politika ishte çështje në kapërcim e sipër në mes teologjisë dhe kontratës. Rrjedhimisht, ngjizja e saj nuk mund të kuptohet pa debatin se kush është sovrani dhe i kujt është sovraniteti. Nuk mund të kuptohet pa protestantët anglezë e të tjerë, që e donin një raport ndryshe me Zotin si dhe absolutisht nuk mund të kuptohet pa kuptuar idetë kryesore të kolonisë së parë në Jamestown, e ngritur mbi parimet e “Marrëveshjes së Mayflowerit”.

Ndonëse vlerat amerikane janë numerikisht të mëdha dhe parimisht të njohura, fundamentet e saj përbëhen nga katër elemente qendrore politike. Një ndër vlerat qendrore të Amerikës është liria. Por liria në doktrinën amerikane, nuk është liri në sensin evropian të “freedom”. Ajo është liri në sensin e “liberty”, vlera e të cilës qëndron tek përgjegjësia. “Liberty” rrjedhimisht është aspirata e pajtimit dhe rehabilitimit të natyrës njerëzore me origjinën e kësaj natyre. Për faktin se “Zoti ka krijuar të gjithë njësoj dhe me të drejta të patjetërsueshme”, liria nuk është arratisje nga diçka e as mbivendosje ndaj diçkaje, por ushtrim i ndërgjegjes së lirë si masë dhe materializim i këtyre të drejtave si ambicie. Prandaj, individi i lirë e njëkohësisht i përgjegjshëm, është elementi i parë i vlerës politike amerikane.

Megjithatë, për të qëndruar i tillë, njeriu i lirë nuk mund të abstenojë nga ambienti e as nga rrethanat. Prandaj ai aderon në botë, në shoqëri dhe nga ndërveprimi shndërrohet në njeri politik. Kështu, njeriu politik që i përgjigjet këtij ndërgjegjësimi është katapultuar si askund tjetër pikërisht në ambientin amerikan dhe këtij njeriu politik, i është hartuar edhe sistemi politik, që ia mundëson ushtrimin e lirisë me përgjegjësi.

Rrjedhimisht, sistemi politik kushtetues që bazohet në një ide mbi natyrën njerëzore, si dhe merr masa për të akomoduar natyrën njerëzore, paralelisht me sigurimin e bashkësisë politike, është vlera e dytë e Amerikës. Ndarja e pushtetit, demokracia elektorale si proces dhe republika qytetare si thelb, janë tri elemente që përbëjnë këtë vlerë.

Vlera e tretë qendrore e Amerikës është dikotomia e gjerave. Çdo kush mund të pretendojë të qeverisë, por për të qeverisur, dikush duhet ta dojë atë në krye të qeverisjes. Çdo kush mund të jetojë sipas pikëpamjes së vet, por ajo pikëpamje duhet të jetë e lidhur me pikëpamjen e përgjithshme, e jo kundër saj. Çdo kush mund të bëjë garë për pushtet, por askush s’mund t’ia ndalojë askujt që të garojë. Çdo kush mund të jetë ndërmarrës, por askush s’mund të paguajë dështimin e një ndërmarrësi. Çdo kush mund të fitojë para aq sa mundet, por askush s’mund t’i ikë taksave. Secili mund ta dojë vetveten më shumë se çdo gjë, por në kohë të caktuara, gjithsecili duhet ta dojë atdheun më shumë se vetën. Këto anë paralele që manifestohen si dimensione politike, janë karakteristikë ekskluzive e SHBA-ve. Madje, pikërisht dikotomia amerikane është një oazë e pashtershme që ka mundësuar diversitetin dhe çlirimin e talenteve prej të cilave, kombi amerikan ka shënuar progresin që ka sot.

Vlera e katërt politike amerikane është ligji. Por ligji në mentalitetin politik amerikan, nuk është domosdoshmërisht ndëshkimi që vjen përmes tij. Ligji në fakt, është pakti shoqëror. Ai pakt nisë që nga kushtetua. Dikush e merr si të mirëqenë vlerën e kushtetutës së SHBA-ve, por për t’u bërë një e tillë, janë shkëmbyer me dhjetëra mijëra letra në mes të qytetarëve dhe përfaqësuesve, pastaj në mes vetë përfaqësuesve, e së fundmi në mes protagonistëve të pushtetit politik e ekonomik, gjersa është arritur pakti që ajo sot manifeston.

Rrjedhimisht, koncepti i paktit politik i mveshur në kushtetutë, prej të cilit pastaj rrjedh ligji, e ka në qendër një element bazë: ligji është rruga përmes së cilës njeriu dhe komuniteti materializohet. Ai nuk është instrumenti i pushtetit për të sunduar. Pushteti ka për detyrë ta mundësojë zbatimin e ligjit për qytetarët, jo zbatimin e tij ndaj qytetarëve, e mbi qytetarë. Ideja se qytetarët janë të mbrojtur përmes ligjit, e jo nga pasionet e çastit dhe as nga vlerësimet e paragjykimet, është padyshim një vlerë kapitale politike, mbi të cilën qëndron sistemi politik amerikan.

Për ta prodhuar një traktat të tillë politik që materializohet në Amerikën, i cili vendos balanc të shëndoshë e jashtëzakonisht preciz në mes të pushtetit e legjitimitetit, në mes të lirisë dhe përgjegjësisë, në mes të ligjit dhe autoritetit, në mes të egoizmit dhe patriotizmit, themeluesit e saj doemos se kanë qenë mendjendritur e vizionarë.

Natyrisht, lista e elementeve të tilla është e gjatë por këto katër kryesoret: liria, republika qytetare, diversiteti dhe ligji, përbëjnë themelin e vlerave politike amerikane. Nga një perspektivë krahasuese, Kosova i ngjason formalisht në shumë drejtime Amerikës, këtij vendi që duan ta asociojnë me vetën politikanët tanë. Por ana formale është anë formale e ceremoniale. Gjendja praktike me zbërthimin e këtyre vlerave tek ne, është jashtë kuadrit të njëmend të këtyre vlerave.

Liria në Kosovë, fatkeqësisht, nuk e ka sensin e përgjegjësisë, por të së mundshmes. Politikanët janë shembulli i parë i kësaj lloj lirie. Republika nuk përjetohet si bashkësi politike mbi të cilën qytetarët kanë pronësi dhe e cila ju shërben atyre. Ajo përdoret thjeshtë si certifikatë në emër të së cilës thirremi. Shembullin tipik, sërish e gjejmë tek politikanët. Dikotomia e mundësive në Kosovë është e fragmentarizuar, e partizuar, e partizanizuar dhe absolutisht e njëtrajtshme. Këtu, vështirë se dikush gjen guxim për ta ushtruar talentin jashtë kodeve të pushtetit e politikës, prej të cilave i duhet të sigurohet mbrojtja, në vend se t’i ofrohej mbështetja. Dhe natyrisht për fund, ligji në Kosovë ka ekskluzivisht konotacion negativ. Ai shihet si instrument i pushtetit për të sunduar, e jo si mënyrë realizimi e materializimi të të drejtave të përbashkëta qytetare. Madje, ligji në Kosovë kryesisht e përgjithësisht është më shumë transplant teknik sesa formim i një vullneti normativ autonom qytetar.

Jemi larg nga Amerika si gjeografi por ende më larg si mentalitet. Jo detyrimisht duhet të bëhemi si ajo, sepse vlera e parime autonome, së paku si liturgji, ka me bollëk edhe tek ne në Kosovë. Sidoqoftë, përderisa pushtetet e politikanët tanë kanë zgjedhur të asociohen me të, do të ishte mirë që të asociohen edhe me të vërtetat e saj.

Fundja, gara politike për asocimin me Amerikën do të kishte më shumë vlerë nëse politikanët së paku përpiqen t’i kuptojnë vlerat e saj e të garojnë për t’na i transmetuar. Përndryshe, Amerika nuk është Gogoli që të gëlltit nëse ke guxim për ta deshifruar të njëjtën. Asaj me gjasë i duhen partner politik që nuk ngarendin pas Gogolit nga frika, por pas parimeve nga zgjidhja e lirë.

Lirinë, republikën, diversitetin dhe ligjin, i duam edhe ne në Kosovë, madje më shumë se amerikanët e sotshëm. Para se të na e “dëftojnë dashurinë për Amerikën”, këto elemente duhet t’i duan, t’i mësojnë e t’i aspirojnë edhe politikanët tanë.

#Amerika

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rrebeshet e shiut kanë përfshirë edhe gjirin e Durrësit. Pushuesit…