Amerika e zhgënjyer nga bashkëpunimi i Turqisë me ushtrinë ruse
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka shprehur zhgënjimin e Shteteve të Bashkuara gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, lidhur me blerjen e sistemit ajror të mbrojtjes nga Rusia.
Komponentët e para të sistemit rus të mbrojtjes “S-400” kanë arritur në Turqi ditë më parë, gjë që ka shkaktuar tensione midis dy aleatëve të NATO-s.
ShBA-ja dhe zyrtarët e NATO-s kanë kundërshtuar gjatë përfshirjen e Turqisë në blerjen e sistemit të mbrojtjes nga Rusia, duke e konsideruar të papërshtatshëm me sistemet ushtarake të Aleancës Veri-atlantike.
Uashingtoni kishte paralajmëruar se blerja e këtij sistemi pason sanksione si dhe bllokimin e blerjes së avionëve F-35 nga SHBA.
Pentagoni njoftoi se pjesëmarrja e Turqisë në programin e furnizimit me aeroplanë ushtarakë amerikanë “F-35” është e pamundur, për shkak të instalimit të sistemit rus.
Ligjvënësit në Uashington kanë thënë këtë javë se presidenti Donald Trump duhet të vendosë sanksionet duke u bazuar në ligjet e ShBA-së, dhe të ndëshkojë ata që bëjnë biznes me ushtrinë ruse.
Presidenti Donald Trump, ka thënë javën e kaluar se ende nuk është e qartë nëse do të vendosen sanksione ndaj Turqisë dhe se gjendet në një situatë mjaft të vështirë. /Rel/