Amerika është më e fortë, aleancat janë më të forta, kundërshtarët tanë janë më të dobët
Presidenti në largim i SHBA-së, Joe Biden u përpoq të hënën të përmirësonte pasqyrën e arritjeve lidhur me politikën e jashtme dhe tha se kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara janë tani më të dobët se kur ai mori detyrën katër vjet më parë, pavarësisht krizave globale që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.
Një javë përpara marrjes së detyrës nga presidenti i zgjedhur Donald Trump, Biden iu drejtua diplomatëve amerikanë në Departamentin e Shtetit dhe vlerësoi lart mbështetjen e administratës së tij për Ukrainën dhe për luftërat e Izraelit në Lindjen e Mesme.
Biden tha se Shtetet e Bashkuara “po fitonin konkurrencën botërore” dhe nuk do të tejkaloheshin ekonomikisht nga Kina siç ishte parashikuar, ndërsa Rusia dhe Irani janë dobësuar nga luftërat pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara.
“Krahasuar me katër vjet më parë, Amerika është më e fortë, aleancat tona janë më të forta, kundërshtarët dhe konkurrentët tanë janë më të dobët”, tha Biden.
“Dhe ne nuk kemi shkuar në luftë për t’i bërë të gjitha këto të mundura”.
Ndërsa luftërat vazhdojnë në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, zyrtarët shpresojnë se një marrëveshje mes Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas mund të arrihet përpara se sa Joe Bideni të largohet nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar.