Amerika kërcënon me taksa prodhimet franceze
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatisin tarifa mbi eksportet franceze, në vlerë prej 2.4 miliardë dollarësh, si hakmarrje për taksat që u ka vënë Franca shërbimeve digjitale.
Përfaqësuesi i Tregtisë Amerikane, Robert Lighthizer, ka thënë se taksat, që Franca i ka miratuar në korrik, godasin padrejtësisht gjigantët amerikanë të teknologjisë.
Sipas tij, tarifat e mundshme kundër Francës kanë për qëllim t’i pengojnë vendet e tjera të ndërmarrin hapa të ngjashëm.
Artikujt që mund të përballen me tarifa deri në 100 per qind janë: djathi, vera, grimi dhe çantat.
Tarifat e mundshme tani do të hyjnë në një periudhë të komentimit publik.
Franca i mbron taksat e veta, duke thënë se ato duhet të bazohen në aktivitetin digjital dhe jo vetëm atje ku firmat i kanë selitë e tyre.
Me taksën e re në Francë, çdo kompani digjitale me të ardhura prej më shumë se 750 milionë eurosh – prej të cilave së paku 25 milionë gjenerojnë në Francë – është subjekt i tatimit.
Kompanitë amerikane të teknologjisë thonë se ligjet e tilla i detyrojnë ato të paguajnë taksë të dyfishtë.