Amerika: Kosova dhe Serbia të përqendrohen në normalizimin e marrëdhënieve
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASh) ka dënuar ngjarjet e fundit që ka ndodhur në veri të Kosovës pas arrestimit të drejtorit të të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.
DASh-i i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përqendrohen në normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm ngjarjet e djeshme në Mitrovicë, të cilat në mënyrë të panevojshme rrisin tensionet dhe kërcënojnë stabilitetin rajonal. Ne iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe të veprojnë me qetësi si dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet paqësore. Për të krijuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen në normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin të gjitha palët në bisedimet e dialogut”, është thënë në deklaratën e DASh-it.