Amerika ndyshoi, epoka e sigurisë falas mbaroi me debatin Trump – Zelensky

01 mars 2025 | 12:22
Shkruan: Astrit Gashi
Evropa ka ndërtuar arkitekturën e saj të sigurisë mbi një iluzion që Shtetet e Bashkuara do të mbeten gjithmonë garantuesi i saj kryesor, pa kërkuar shumë në këmbim. Kjo qasje ka funksionuar për dekada, por tani po përballet me një realitet të ri gjeopolitik. Debati mes Donald Trump dhe Zelensky nuk ishte thjesht një përplasje diplomatike, por një pasqyrë e krizës ekzistenciale të sigurisë evropiane, një krizë e krijuar nga varësia kronike ndaj mbrojtjes amerikane.
Në qendër të këtij ndryshimi strategjik qëndron JD Vance, një nga këshilltarët më të afërt të Trump dhe një nga zërat më të fuqishëm të izolacionizmit amerikan. Sipas tij dhe të tjerëve që mbështesin këtë qasje, SHBA-ja nuk mund të mbetet më garantuesja e sigurisë evropiane pa kosto, veçanërisht kur vetë vendet e BE-së nuk janë të gatshme të marrin mbi vete barrën financiare dhe ushtarake të mbrojtjes së tyre. Kjo qasje ka pasoja të mëdha, jo vetëm për Ukrainën, por për NATO-n dhe të gjithë arkitekturën e sigurisë perëndimore.
Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Evropa ka pasur luksin të mbështetet tek Amerika për mbrojtjen e saj. NATO u krijua për të garantuar që asnjë kërcënim qoftë nga Bashkimi Sovjetik dikur apo nga Rusia sot të mos kërcënonte stabilitetin e kontinentit. Por ndërsa SHBA-ja ka investuar triliona dollarë në këtë arkitekturë sigurie, shumica e vendeve evropiane kanë zgjedhur të mos bëjnë të njëjtën gjë.
Vetëm disa vende si Polonia dhe shtetet baltike kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e tyre ushtarake. Ndërkohë, Gjermania, Franca dhe vendet e tjera të fuqishme kanë qenë më të ngadalta në reagim, duke mos përmbushur ende angazhimin për të shpenzuar të paktën 2% të PBB-së për mbrojtjen, siç kërkon NATO. Kjo ka krijuar një paradoks të qartë: Evropa kërkon siguri, por nuk është e gatshme të paguajë për të.
Për administratën Trump dhe sidomos për këshilltarë si JD Vance, kjo qasje nuk është më e pranueshme. Sipas tyre, SHBA-ja nuk duhet të vazhdojë të subvencionojë sigurinë evropiane nëse Evropa nuk merr përsipër një pjesë më të madhe të barrës. Kjo nuk është thjesht një çështje e Ukrainës, por një çështje më e gjerë e marrëdhënieve transatlantike.
Nëse SHBA-ja tërhiqet ose redukton ndihmën e saj për Ukrainën, barra do të bjerë mbi BE-në dhe NATO-n. Por a është Evropa e gatshme për këtë? Në realitet, shumica e vendeve evropiane nuk kanë as kapacitetin ushtarak dhe as logjistikën për të mbështetur Ukrainën në të njëjtin nivel si SHBA-ja.
Debati Trump-Zelensky ishte një sinjal i qartë: epoka e sigurisë falas ka marrë fund. Nëse BE-ja dëshiron të mbetet një fuqi globale dhe të sigurojë stabilitetin e saj, ajo duhet të marrë përgjegjësinë për mbrojtjen e vet.
Por historia ka treguar se siguria nuk fitohet me pritje dhe debate boshe. Kur Serbia masakronte shqiptarët në Kosovë në vitin 1999, nuk ishte BE-ja ajo që ndërhyri – ishte Amerika që shpëtoi një komb nga shfarosja. Nëse Evropa nuk mëson nga historia dhe vazhdon të mbështetet tek të tjerët për sigurinë e saj, ajo rrezikon të përballet me të njëjtin fat si viktimat e saj të harruara.
Siguria nuk është një dhuratë është një përgjegjësi. Evropa e mori mesazhin permes Vladimir Zelenskyit i cili u perzune nga zyra ovale e SHBA-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani ka numëruar 14.36%…