Amerika ua anulon vizitën në SHBA ministrave Sveçla dhe Haxhiu
Dy ministra të Qeverisë së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla kanë pasur vizitë të planifikuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mirëpo, atyre u është anuluar vizita me urdhër direkt të emisarit amerikan ne dialog, Gabriel Escobar.
Burime të Paparacit brenda qeverisë kanë thënë se të dy ministrave u është thënë nga amerikanët se vizitat e tyre janë anuluar për shkak te kokëfortësisë së kryeministrit Albin Kurti, për targat e serbëve në veri të Kosovës.
“Të dy ministrat kanë pasur vizitë të përbashkët për takime në departamentin e drejtësisë në ShBA, por janë njoftuar se kjo vizitë do të anulohet”, kanë thënë këto burime.
Për anulimin e vizitës se ministres Haxhiu ka folur ambasadori amerikan Jeff Hovenier.
Hoviener ka thënë se nuk e sheh të vështirë që një ministër të marr vizë amerikane, por tani për tani, për shkak të krizës pas ngjarjeve në veri, nuk është koha më e duhur që ministrat të udhëtojnë për në SHBA për takime zyrtare.
“Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, ka thënë Hovenier.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe minsitrja Haxhiu përmes një statusi në Facebook.
Ajo ka shkruar se bashkë me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, e kanë konsideruar se duhet ta shtyjnë vizitën e saj për në SHBA për në dhjetor.
“Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën. Lajmet se më është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me viziten, ndryshe nga ky shpjegim, nuk qëndrojnë pra janë të pavërteta. Vizita do të realizohet dhe për shkak të interesimit, datat do t’ua kumtojmë me kohë”, shkruan ajo.
Ndryshe, gjatë ditës, këshilltari i Haxhiut, Nimoni ka thënë se ministres nuk i është refuzuar viza nga Ambasada e SHBA-ve, ashtu siç është raportuar në media.
“Disa media, kanë drejtuar pyetje dhe po raportojnë se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka refuzuar vizën për Ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu dhe është anuluar vizita në ShBA. Një lajm i tillë përveç se është i pavërtetë dhe shpifës, është tendencioz dhe ka për qëllim shpërndarjen e informatave të pavërteta për zyrtaret e lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Nimoni.
Ai ka shtuar se me ftesë të autoriteteve Amerikane, në muajin dhjetor të këtij viti, ministrja Haxhiu planifikon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë së cilës vizitë do të ketë takime zyrtare me përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan, Departamentit për Drejtësi dhe institucione të tjera.
“Në këtë vizitë, Ministrja Haxhiu do të jetë edhe pjesë e konferencës globale anti-korrupsion në Washington DC”, ka shkruar Nimoni.