Amerikanët dominojnë në Botërorin e Atletikës
Atletët amerikanë ishin dominues në ditën e pestë të Botërorit të Atletikës që po zhvillohet në Doha të Katarit, teksa fituan më shumë medalje të arta.
Në garën e kërcimit me shkop për meshkuj medaljen e artë e fitoi Sam Kendriks, që kërceu lartësinë 5.97 m, i ndjekur në vendin e dytë nga suedezi Duplantis po me 5.97 m, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi polaku Lisek me 5.87 m. Në finalen e hedhjes së shtizës për femra, kampione e botës u shpall australiania Barber me 66.56 m, e ndjekur nga dy sportistet kineze, Shiying Liu dhe Huihui Lyu, që u renditën respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë. Në 800 m për meshkuj kampion bote u shpall amerikani Donovan Brazier me 1 minutë e 42 sekonda e 34 të qindtat, duke vendosur edhe një rekord të ri të kampionatit. Në vendin e dytë u rendit boshnjaku Amel Tuka, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi keniani Rotich.
Dita e pestë u mbyll me finalen e garës së 200 m për meshkuj ku, ashtu siç pritej, medaljen e artë e fitoi Noah Lyle i SHBA me 19.83 sekonda, duke lënë në vendin e dytë Andre De Grasse, ndërsa i treti u pozicionua ekuadoriani Quinonez. Pas ditës së 5 të botërorit, ShBA e sheh veten në pozita gjithnjë e më të konsoliduara në krye të renditjes në tabelën e medaljeve me 7 medalje të arta, 7 të argjendta dhe 2 të bronzta. Në vendin e dytë vazhdon të jetë Kina me 2 medalje ari, 3 argjendi e 3 bronzi, ndërsa e treta është Xhamajka me 2 medalje të arta dhe 2 të argjendta.