Amerikanët fajësojnë Trumpin për mbyllje të Qeverisë
Amerikanët fajësojnë më shumë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për mbylljen e pjesshme të Qeverisë amerikane në krahasim me demokratët e Kongresit, është thënë në të gjeturat e një sondazhi të realizuar nga “Reuters” dhe “Ipsos”.
Bazuar në rezultatet e sondazhit, 47 për qind e personave të anektuar e mbajnë Trumpin përgjegjës derisa 33 për qind demokratët në Kongres.
Pjesa tjetër e të anketuarve, përkatësisht 7 për qind e tyre kanë fajësuar republikanët në Kongres për mbylljen e Qeverisë.
Mbyllja është nxitur nga kërkesa e Trumpit, e cila është kundërshtuar ashpër nga demokratët dhe nga disa republikanë të partisë së tij, që taksapaguesit të ofrojnë 5 miliardë dollarë për t’i ndihmuar në ndërtimin e murit që do të ndante Shtetet e Bashkuara me Meksikën.
I gjithë projekti i murit është vlerësuar të kapë shifrën e 23 miliardë dollarëve, raporton “Rel”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka thënë të enjten përmes një deklarate se “presidenti e ka bërë të qartë se secili projektligj për të miratuar fondet qeveritare duhet që fillimisht të financojë në mënyrë adekuate sektorin e sigurisë kufitare”.
Megjithatë në deklaratë nuk është përmendur propozimi i Trumpit për murin.
Bllokimi në Kongres për këtë çështje mund të rezultojë me vazhdim të mbylljes së Qeverisë deri në muajin janar.