
Amerikanët i bëjnë bashkë partitë kosovare – VV, PDK, LDK dhe AAK në një tryezë në shtëpinë e Tahirit
Ish-shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka pritur në shtëpi Ushtruesen e Detyrës së Ambasadorës së ShBA-së në Kosovë, Anu Prattipatin.
Tahiri tha se bashkë me gruan e tij, Prattipatin e pritën për t’i dhënë lamtumirën mikut të tyre, Gregory Viola, i cili për më shumë se tri vjet e ndihmoi Kosovën me përkushtim të lartë.
“Kurrë nuk duhet harruar se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Gregu dha një kontribut të jashtëzakonshëm duke i dhënë mbështetje të parezervë Kuvendit të Kosovës. Profesionalizmi, përkushtimi dhe miqësia e tij e sinqertë do të na mungojnë shumë e më së shumti Kuvendit të Republikës Kosovës”, shkroi Tahiri.
Ai më tej shkroi se në shtëpinë e tij, priti edhe deputetët Abelard Tahirin e PDK-së, Arben Gashin e LDK-së, ish-kryetarin e kuvendit Glauk Konjufcën dhe Rrita Ismajlin, për të cilët tha se kanë punuar ngushtë në Kuvend dhe Ambasadë.
“Po ashtu, sonte patëm nderin të mikpresim kolegët dhe miqtë tanë, deputetët Abelard Tahiri, Arben Gashi, ish-Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca dhe Rrita Ismajli, që kanë punuar ngushtë me Gregun, në Kuvend dhe Ambasadë, teksa ndamë një lamtumirë të ngrohtë dhe i uruam suksese në kapitullin e ri të jetës së tij”.
“Faleminderit për shërbimin tënd, Greg. Zoti të bekoftë ty dhe familjen tënde në gjithçka që ju pret përpara. Qoftë gjithmonë e fortë lidhja e miqësia mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, shkroi Tahiri.