Amerikanët në linjë me propozimin evropian, nuk e përmendin njohjen reciproke

15 shkurt 2023 | 17:07

Në letrat që ia kanë dërguar Aleksandër Vuçiqit, me aq sa është publikuar nga pjesa ku flasin për dialogun me Kosovën, presidenti amerikan, Joe Biden dhe sekretari  Antony Blinken, këtë vit nuk e kanë përmendur njohjen reciproke. Ato janë në të njëjtën linjë me propozimin evropian për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e mbështesin.

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i kanë dërguar Presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit, letra të urimit për Ditën Shtetërore të Serbisë. Theksi i këtyre letrave ishte te negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, në letrën e këtij viti, me aq sa është publikuar në media, Biden nuk e ka përmendur njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në vitin që është para nesh, ShBA-ja do të vazhdojë të mbështesë rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën. Ne mirëpresim mbështetjen tuaj për propozimin e BE-së për normalizim, që do të kontribuojë në krijimin e një të ardhme më paqësore dhe me prosperitet për rajonin”, citohet të ketë shkruar Bideni.

Në dy vitet e kaluara, prej kur Bideni është zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në letrat e tij drejtuar Kosovës dhe Serbisë ka theksuar se ai e mbështet një marrëveshje mes tyre, që ka në qendër njohjen reciproke.

“Ne mbetemi të vendosur për të mbështetur synimin e Serbisë për anëtarësimin evropian, zbatimin e reformave dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, bazuar në njohjen reciproke”, i kishte shkruar Bidenu, Vuciqit në shkurtin e 2021-s.

Njohjen e ndërsjellë ia kishte përmendur edhe në letrën e një viti më vonë. Meqë Dita Shtetërore e Serbisë është më 15 shkurt, ndërsa Dita e Pavarësisë së Kosovës është më 17 shkurt, Bideni u kishte shkruar vjet edhe Vuçiqit edhe presidentes Vjosa Osmani, se priste njohje reciproke nga marrëveshja.

“Aspiratat e Serbisë drejt BE-së gjithashtu varen nga progresi drejt normalizimi të plotë të raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës, të cilat, siç edhe ju e dini, duhet të bazohen në njohje reciproke”, thuhej në letrën që Presidenca serbe e kishte publikuar një vit më parë.

“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë ta mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhej në letrën që Bideni ia kishte dërguar presidentes Osmani në përvjetorin e 14-të të pavarësisë.

Fjalia e theksuar nga presidenti amerikan se marrëveshja finale duhet të jetë e përqendruar në njohjen reciproke, ishte kthyer në argumentin kryesor të Kryeministrit Albin Kurti. Sa herë që ai ka folur për marrëveshjen me Serbinë, ka cituar Bidenin, duke thënë se ai, si Presidenti amerikan, beson që marrëveshja duhet ta ketë “njohjen në qendër”, raporton Express”.

Edhe në letrën që sekretari Blinken ia ka dërguar pesidentit serb, flitet për “normalizimin e raporteve” me Kosovën, pa u përmendur tutje njohja reciproke.

Duke përmendur vizitën që këtë fillimvit e bëri në Prishtinë dhe në Beograd, Blinkeni ka shkruar: “Përshëndeta angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e ShBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë gjatë një vizite të fundit në Beograd. Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor”.

Blinkeni në letër ka paralajmëruar edhe për “kompromise të vështira” nga të dyja palët.

“Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb dhe gjithë rajonin do të jenë të mëdha”.

Dy vjet më parë, në letrat e Blinkenit dërguar Vuçiqit vihej theksi të njohja reciproke, të cilën e kërkonte dhe e mbështeste ShBA-ja.

“Vendet tona kanë ndërtuar lidhje të forta gjatë 140 viteve të fundit dhe Shtetet e Bashkuara presin të ndërtojnë një të ardhme edhe më të ndritshme së bashku si partnerë në Evropë dhe në skenën globale. Ne jemi të përkushtuar të mbështesim synimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, kishte shkruar Blinken në vitin 2022.

Në letrat e sivjetme të liderëve amerikanë përmendet mbështetja për propozimin evropian, të njohur si plan franko-gjerman. E, në këtë propozim, siç ka konfirmuar edhe pala kosovare, nuk flitet për njohje formale mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Kurti, ashtu si edhe Vuçiqi, ka pranuar planin franko-gjerman. Por, ai ka thënë se ky plan është pranuar vetëm si platformë, si bazë për të negociuar tutje, dhe akoma qëndron prapa asaj se marrëveshja që e pranon, gjithsesi se duhet ta ketë njohjen e ndërsjellë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 15 shkurt, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës mbajtën një…