Amerikanët të interesuar për projekte të riciklimit dhe energjisë në Kosovë
Përfaqësues të kompanisë “Ekobase Global” janë pritur në një takim nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, me të cilin u njoftuan me planet për projekte konkrete në fushën e riciklimit të gomave të vjetra dhe energjisë së ripërtrishme.
Ministri Gashi ka informuar përfaqësuesit e kësaj kompanie lidhur me mundësitë të cilat ofrohen sipas Ligjit për Investimeve Strategjike.
“Ne momentalisht konsiderohemi si shteti më liberal për sa i përket mundësive të cilat u ofrojmë investitorëve që potencialisht kualifikohen si investitorë strategjik në fushën e minierave, energjisë dhe turizmit. Deri tani kemi marrë aplikacionin e parë në fushën e energjisë solare nga një kompani shqiptaro-gjermane, ndërsa presim së paku edhe katër aplikacione në fushën e minierave”, ka thënë ministri Gashi.
Të dy palët u dakorduan që në vizitën e ardhshme në Kosovë të diskutohen edhe modalitetet konkrete të projektit në fjalë.
“Ekobase Global Inc” është kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me degë në disa shtete të Bashkimit Evropian.
“Ekobase Global Inc” është duke implementuar projekte të ngjashme edhe në Slloveni dhe Spanje.
Drejtori i kësaj kompanie për Evropë, Tomaz Groff, ka thënë se kanë shprehur interesim që ta përfshijnë edhe Kosovën në këtë iniciativë që është duke marrë përmasa globale.
Ai ka bërë me dije se në Kosovë kanë ardhur për të shikuar edhe mundësi të tjera të investimit në fushën e energjisë së ripërtrishme.
/Epoka e re/