Amerikanët vihen në aksion, ka lëvizje në dialog, përgatiten propozimet për Kurtin e Vuçiqin
Pas një stagnimi në dialogun Kosovë-Serbi, duket se tashmë ka lëvizje në këtë drejtim.
Angazhimi i zyrtarëve të ShBA-së ka bërë që të ketë risi në dialog.
Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill u shpreh për mediumin N1 se do të ketë propozime interesante për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Hill nuk ka treguar më shumë se për çfarë propozime bëhet fjalë.
Lëvizje në dialog ka edhe tek Serbia. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq për herë të parë ka thënë se do i kërkoj serbëve të Kosovës të dalin me iniciativa për zgjedhje në katër komunat veriore.
Ky deklarim i Vuçiqit erdhi pas takimit me delegacionin e nivelit të lartë në përbërje të emisarit evropian Miroslav Lajçak, emisarit amerikan Gabriel Escobar dhe Këshilltarët e Kancelarit Scholz, Presidentit Macron dhe Kryeministres Meloni.
Kurse, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier sot në intervistë për “Zërin e Amerikës” kërkoi zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
Nesër presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti do të takohen me dy senatorët e ShBA-së, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch.
Mbetet të shihet nëse do të sjellin ndonjë mesazh në lidhje me dialogun tek liderët e Kosovës.