Amnistoi katalonasit e rrebeluar, Parlamenti i Spanjës konfirmon Pedro Sanchezin si kryeministër
Pedro Sanchez fitoi mbështetjen e shumicës së ligjvënësve në parlamentin e Spanjës për të formuar një qeveri të re të enjten, duke i dhënë fund paralizës politike katër mujore në Madrid.
Kryeministri 51-vjeçar mbizotëroi në një votim në parlamentin e Spanjës, me 350 vende, duke marrë vota po nga çdo grup i majtë dhe separatist.
Në total, 179 ligjvënës e mbështetën Sanchezin.
Të shtatë ligjvënësit që i përkisnin partisë separatiste katalane Junts, e cila kishte fuqinë ose ta bënte Sanchezin kryeministër ose ta detyronte Spanjën të zhvillonte zgjedhje të reja, votuan në favor të tij.
Fitorja e Sanchez-it në parlament përfundon një periudhë trazirash politike që nisi në maj, kur udhëheqësi socialist shpalli zgjedhje të parakohshme pasi partia e tij pësoi humbje shkatërruese në zgjedhjet rajonale dhe lokale në mbarë vendin.
Në atë kohë, Sanchez tha se spanjollët duhet të “qartësojnë se cilat forca politike duan të marrin drejtimin” dhe se ishte koha që zgjedhësit të “përcaktonin drejtimin politik të vendit”.
Sanchez e kuptoi menjëherë domosdoshmërinë e sigurimit të mbështetjes së partive separatiste dhe filloi negocimin e marrëveshjeve mbështetëse me secilën prej tyre.
Marrëveshja më komplekse ishte ajo e krijuar me partinë Junts, e cila kontrollohet nga ish-presidenti katalanas, Carles Puigdemont.
Udhëheqësi separatist, i cili ka jetuar në mërgim të vetë-imponuar në Belgjikë që nga referendumi i dështuar i pavarësisë së Katalonjës në vitin 2017, kërkoi një amnisti për njerëzit e ndjekur penalisht për veprime të lidhura me lëvizjen.
Edhe pse Sanchez pohoi prej kohësh se një falje e tillë e përgjithshme ishte e pamundur sepse do të binte ndesh me Kushtetutën e Spanjës, të hënën partia e tij paraqiti një projekt-ligj për të dhënë një amnisti për njerëzit e përfshirë në lëvizjen për pavarësinë e Katalonjës gjatë dekadës së fundit.
Zemërimi për propozimin e diskutueshëm bëri që qindra mijëra spanjollë të dilnin në rrugë në protestë dhe nënvizuan tensionet e thella që mbeten.
Sanchez, megjithatë, u kundërpërgjigj se propozimi legjislativ nxiti një unitet më të madh kombëtar përmes “dialogut dhe faljes”.
Udhëheqësi socialist synon të formojë një qeveri të pakicës me koalicionin e ekstremit të majtë Sumar, udhëheqësja e të cilit, Yolanda Díaz, shërbeu si zëvendëskryeministre e dytë në qeverinë e mëparshme.
Sanchez pritet të betohet nga Mbreti i Spanjës Felipe VI të premten dhe të kalojë fundjavën duke mbledhur emrat e ministrave që ai dëshiron në kabinetin e tij – qeveria e dytë e koalicionit të Spanjës që nga vitet 1930.