Amsterdami do të ndalojë automjetet me naftë dhe benzinë
Amsterdami po planifikon të ndalojë qarkullimin e automjeteve që funksionojnë me benzinë dhe naftë deri në vitin 2030, duke i zëvendësuar ato me makina elektrike.
Por për ta arritur këtë objektiv, ata kanë vetëm 10 vite kohë që të ndërtojnë infrastrukturën, e cila do t’u japë atyre titullin si qyteti i makinave elektrike.
Si pjesë e planit, që nga viti i ardhshëm disa nga automjetet që furnizohen me naftë nuk do lejohen të qarkullojnë në qytet. Nga viti 2022, autobusët dhe trenat do të lejohen në qytet vetëm nëse kanë motor elektrik apo furnizohen me hidrogjen, dhe në vitin 2030 të gjitha veturat në qytet duhet të jenë të padëmshme për ambientin.
Nënkryetari i qytetit ka deklaruar se e gjithë kjo po bëhet për arsye shëndetësore, për të reduktuar ndotjen e ajrit në qytet.
Edhe qytete të tjera si Parisi, Madridi, Athina dhe Meksika premtuan gjatë vitit 2016 se deri në vitin 2025 do të ndalojnë qarkullimin e automjeteve me naftë. Ndërsa qytete si Londra dhe Gjermania kanë filluar që këtë vit me eleminimin e makinave që dëmtojnë ambientin më tepër se standardet e lejuara.