Ana Branbiç s’do jetë më Kryeministre e Serbisë, propozohet në krye të Kuvendit
Ana Brnabiç nuk do të jetë më kryeministre e Serbisë në qeverinë e re serbe që do të krijohet pas zgjedhjeve parlamentare të 17 dhjetorit – të kontestuara nga opozita serbe.
Lajmi është bërë i ditur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njëherit kryetar de facto i Partisë Progresive Serbe (SNS), pas mbledhjes së kësaj partie të mërkurën, derisa bëri të ditur se Aleksandër Shapiç, do të rikandidojë për kryetar të Beogradit, pas përsëritjeve të zgjedhjeve në këtë qytet, për shkak të mossigurimit të shumicës.
“Pra, Ana Brnabiç nuk do të jetë më kryetare e Qeverisë së Serbisë, as anëtare e Qeverisë”, u tha Vuçiç gazetarëve dhe shtoi se “ai i kërkoi asaj diçka tjetër, por ajo zgjodhi të jetë kryetare e Kuvendi të Serbisë”.
Vuçiç theksoi se Brnabiç ishte “surpriza e tij më pozitive” në atë që “përparoi më së shumti”.
“Ajo luftoi aq fort dhe trimërisht”, deklaroi kreu i shtetit serb, duke shtuar se ish-kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç, “do të ketë përgjegjësi të konsiderueshme në një pozitë tjetër”.
Vuçiq shtoi në konferencën për media se Brnabiç “e meritonte të mbante një nga postet më të larta shtetërore”.
“Nëse del mirë në Kuvend, Ana mund të jetë presidente, nuk ka qenë presidente, nuk e dini kurrë. Por besoj se do të kemi shumë të rinj dhe të mirë. Dhe ajo tha se është një sfidë e madhe dhe se do ta shihni tek ajo. Dhe vërtet e ka merituar, kjo është një nga postet më të larta shtetërore”, shtoi.
Sa i përket emrit të ri të kryeministrit të Serbisë, Vuçiç potencoi se ende nuk kanë vendosur se kush do të jetë mandatari i ri.
“[Millosh] Vuçeviç sugjeroi që të presim edhe 7-10 ditë për mandatin”, deklaroi ai.
Ndryshe, pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, Kuvendi i Serbisë është konstituuar më 6 shkurt të këtij viti, por kryetari i Kuvendit ende nuk është zgjedhur.