‘Anadolu’: Turqia arreston një shtetas të Kosovës, e akuzon se punonte për Mossad-in e Izraelit
Liridon Rexhepi është arrestuar nga autoritetet turke nën akuzën se ishte duke i menaxhuar të hollat e agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad, në Turqi.
Raportohet se arrestimi i tij është bërë me ndihmën e agjencisë turke të inteligjencës, MiT, sipas raportimit të agjencisë “Anadolu”.
Sipas kësaj agjencie, ishte mësuar që Rexhepi kishte siguruar pamje nga droni me urdhrat e shërbimit izraelit të inteligjencës dhe ishte përcaktuar se ai ishte duke kryer operacione psikologjike kundër politikanëve palestinezë, i kishte transferuar të holla një personeli në terren në Turqi, që ishin duke hartuar të dhëna rreth Sirisë.
Të gjitha lëvizjet e Rexhepit, sidomos lëvizjet e dyshimta në llogaritë e tij, ishin vëzhguar dhe u përcaktua nga inteligjenca turke që ai kishte bërë shumë transfere parash te personeli në terren në Turqi përmes shërbimit “Western Union”.
Aktivitetet e tij filluan të vëzhgoheshin nga momenti i hyrjes së tij në Turqi, më 25 gusht.
Si rezultat i përpjekjeve të bashkërenduara të MiT-it me policinë e Stambollit, Rexhepi u ndalua më 30 gusht.
Raportohet se Rexhepi ka pranuar në deklaratën e tij në polici se ka bërë transfere parash.
Si rezultat i operacioneve të agjencisë MiT, u përcaktua që Mossad-i ishte duke transferuar të holla te personeli i vet në terren në Turqi nga vende të Evropës Lindore, kryesisht nga Kosova, raporton agjencia “Anadolu”.
Si rezultat i përcjelljes së parave, u mësua se personeli në terren në Turqi kishte transferuar të holla që po vinin nga Kosova te burimet e veta në Siri përmes shërbimit “Western Union” dhe në formë të kriptovalutave.