Analfabetët nuk funksionojnë

12 tetor 2022 | 12:29

Berat Armagedoni

E pashë mbrëmë intervistën e radhës të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, këtë herë në “T7”. Ka hapur një front të gjerë të punëve, të ligjeve dhe të rregulloreve. Në mandatin që i ka mbetur vështirë se do të mund t’i përfundojë të gjitha punët e nisura. Nëse i jepet edhe një mandat pas zgjedhjeve e nëse fiton sërish Vetëvendosja, mund t’i realizojë punët që synon. Përkrahja e MKRS-së për veprimtari të ndryshme është shtuar shumë. Konkurse për përkrahje të OJQ-ve dhe të individëve MKRS-ja hap çdo dy javë. Buxheti për librin deri këtë vit nuk është ngritur asnjë metelik. Ka paralajmëruar edhe më parë ministri, paralajmëroi edhe mbrëmë, se në vitin e ardhshëm për veprimtarinë botuese do të ndahen një milion euro, të cilat do të shpërndahen nëpërmjet thirrjeve për botim, blerje dhe për përkthim të letërsisë shqipe në gjuhë të huaja. Synim i mirë që letërsia shqipe, vepra dhe autorë të veçantë, të përkthehen dhe të promovohen në gjuhë të huaja. Me një milion euro për librin për një vit, botuesit dhe autorët, letërsia e Kosovës, mund të shtegtojë nëpër vende të ndryshme të botës dhe bibliotekat e Kosovës mund të pajisen edhe me më shumë tituj të rinj, edhe me më shumë ekzemplarë. Do të thotë, MKRS-ja, me buxhetin që do të ndajë për librin në vitin e ardhshëm, nuk do të blejë më nga 50, 70 e 100 ekzemplarë të librave, por nga 200, 300, 400. Edhe përkrahja për botim të librave do të jetë më e madhe. Nuk do të jepen më për botim të një libri 700, 800, 1 000 euro (sadaka), por do të jepen 1 700, 1 800, 2 000 e fiu euro (sa duhen për mbulim të të gjitha shpenzimeve). Ndoshta do të jepet edhe një honorar për autorin sikurse e jep Ministria e Kulturës e Maqedonisë. Po më vjen mirë që modelin e Shqipërisë, atë pak përkrahje që jep Ministria e Kulturës e Shqipërisë nëpërmjet Qendrës së Librit dhe Leximit për botuesit dhe autorët, nuk do ta ndjekë ministria jonë. Përparësi, tha ministri Çeku, MKRS-ja do t’i japë librit. Do të duhej t’i jepte secili ministër i mëparshëm. Deri tash libri në këtë ministri ka qenë më pak i përkrahuri. Të shohim në vitin 2023 sa do të jepet për librin. Premtimi është i madh. “Do ta ‘ngopim’ tregun e librit me përkrahje të botimit të librit dhe me blerje”, tha.

Shkëlzen Gashi shprehu shumë pakënaqësi ndaj punës së tij dhe këshillave të tij. Ai kërkoi të mblidhet bërlloku nga bibliotekat dhe ata libra bërllok që u janë shpërndarë nëpërmjet blerjes së librit nga MKRS-ja të digjen. Kjo kohë mesjetare në Kosovë nuk do të vijë. As ministri, askush tjetër, nuk do të veprojë siç kërkoi Gashi. Nëse ndonjëherë Gashi emërohet ministër i Kulturës, le të veprojë kështu si mendon. Ai përtoku vlerësimin e anëtarëve të ish-Këshillave të Librit dhe të anëtarëve të Këshillit të Librit. Të profesorëve universitarë, të studiuesve, të shkrimtarëve që gjithë jetën janë marrë me librin. Ai, në vend se ta kërkonte mbledhjen e bërllokut nga bibliotekat dhe djegien e tij, duhej të kërkonte vlerësim më të saktë nga anëtarët e Këshillit të Librit. Është shumë e vërtetë se bibliotekat komunale të Kosovës janë pajisur me libra të këqij ndër vite. Pse? Sepse edhe librin e mirë, edhe të keqin, bibliotekat janë të obliguara me ligj t’i kenë në fondet e tyre. T’i arkivojnë. Lexojeni Ligjin për Veprimtarinë Botuese dhe Librin çfarë shkruan aty. Nuk u mëshohet sëpatë të gjitha librave. Nuk u mëshohet sëpatë të gjithë autorëve. Nuk u mëshohet sëpatë të gjithë botuesve. “Bërllok” kanë të gjitha bibliotekat e botës. Vlerësimin e atij bërlloku e bëjnë lexuesit. E kanë në biblioteka, s’e kapin në duar. E kanë në librari, s’ia lëshojnë sytë. Ky është ndëshkimi më i mirë: ndarja e të mirit nga i keqi. Autorët e Kosovës nuk shkruajnë që të gjithë vepra të mira. Niveli i tyre stilistik dhe tematik ndryshon. Dhe mirë që ndryshon. Nuk mund t’u shpërndahen bibliotekave vetëm librat e mirë të dhjetë-pesëmbëdhjetë autorëve. Qëllimi i MKRS-së është stimulimi i krijuesve të rinj dhe të vjetër nëpërmjet përkrahjes për botim dhe blerje të librit, jo ndëshkimi i tyre. Pra, shkrimtarët duhet të përkrahen, jo t’u digjen librat. Mund të digjen librat para MKRS-së, në shenjë revolte, po qe se kjo ministri nuk e trajton librin me dinjitet, po qe se nuk jep mjaftueshëm para për botimin e tyre, po qe se, sikurse në pesë vjetët e fundit, nuk i përkrah për botim kompletet e veprave të shkrimtarëve.

A nuk do të ishte mirë të përkrahej botimi i kompletit të veprës së Xhevdet Bajrajt? A nuk do të ishte mirë të përkrahej botimi i kompletit të veprës së Adem Gashit? A nuk do të ishte mirë të përkrahej botimi i kompletit të veprës së Ragip Sylajt? A nuk do të ishte mirë të përkrahej botimi i kompletit të veprës së Sali Bashotës? A nuk do të ishte mirë të përkrahej botimi i kompletit të veprës së Nazmi Rrahmanit? A nuk do të ishte mirë të përkrahej botimi i kompletit të veprës së Ali Podrimjes? A nuk do të ishte mirë të përkrahej botimi i kompletit të veprës së Basri Çapriqit? E sa e sa të tjerëve.

Për fund, Shkëlzen Gashi më duket se kishte shkuar në studio me sëpatë, vetëm se e mbante nën tavolinë. Tha se “ish-ministri i Kulturës, studiues i gjuhës dhe i letërsisë”, e ai është studiues i letërsisë, jo i gjuhës, “është analfabet funksional”. Ai ish-ministër sot është akademik. Ka botuar mbi 30 libra me studime dhe poezi. Ka marrë dhjetëra çmime. Nuk është shkruar dhe botuar një recension i keq për librat e tij. Nuk është mohuar publikisht kontributi i tij. Mund të mos i pëlqejë Xenit dhe të tjerëve, veçse ai analfabet nuk është. Absolutisht analfabet funksional. Analfabetët nuk funksionojnë. Nuk mund t’i themi një njeriu analfabet funksional veç pse na teket. Edhe mund t’i themi, por duhen argumente. Ato mbrëmë munguan. Mungojnë që nga dita e parë e botimit të një vepre të tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar…