Analistët: Arsyeja e vërtetë e përplasjes Hoti – Haradinaj, pozita e presidentit
Njohësit e rrethanave politike nuk i kanë marrë seriozisht përplasjet e fundit në mes të kryeministrit Avdullah Hoti dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, për çështjen e Taskë Forcës Anti-korrupsion. Ata kanë thënë se arsyeja e vërtetë e përplasjes mes partnerëve të koalicionit nuk është shpërbërja e Taskë Forcës Anti-korrupsion.
Analisti politik Imer Mushkolaj ka deklaruar për “Epokën e re” se arsyeja e vërtetë e mospajtimeve në mes të Hotit dhe Haradinajt është hisja për pushtet. “Në përplasjen e Hotit me Haradinaj, Taskë Forca është marrë vetëm si arsyetim. Sepse reagimi i Haradinajt ka ardhur disa ditë pasi është shfuqizuar Taskë Forca. Pra ai nuk reagoi ditën që u shfuqizua Taskë Forca. I janë dashur disa ditë derisa ta shfaqë kritikën e tij për këtë çështje. Unë besoj se Taskë Forca është vetëm arsyetim, ndërsa arsyeja e vërtetë e kësaj përplasje është pikërisht pushteti, respektivisht përfitimet nga pushteti, sidomos tash kur Haradinaj nuk e ka të qartë se çka po ndodhë me postin e presidentit. Dhe kështu, duke e goditur Avdulah Hotin në mënyrë indirekte, Haradinaj po e godet Isa Mustafën”, ka thënë Mushkolaj.
Ai ka bërë me dije se lideri i LDK-së, Isa Mustafa, nuk i beson për postin e presidentit as PDK-së e as AAK-së. “Mendoj se Isa Mustafa nuk i beson as Haradinajt e as PDK-së në këtë kombinimin e ri që PDK-ja ta marrë presidentin, sepse frikësohet se posa ta marrë këtë post, PDK-ja mund ta prishë qeverinë ashtu siç ka ndodhur kur Thaçi është bërë president. Pra, Haradinaj po tregon mesazh se ai mund ta prishë qeverinë dhe mund ta çojë vendin në zgjedhje, mirëpo po duket se edhe LDK-ja nuk e ka problem këtë punë, sepse po shihet se edhe Isa Mustafa është i interesuar të bëhet president dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Se në çfarë kombinimesh mund ta arrijë këtë synim, tash pritet të shihet. Por qëllimi i të dyja palëve është i qartë”, është shprehur ai.
Më tej, Mushkolaj ka vlerësuar se gjasat më të mëdha janë që vendi të shkojë në zgjedhje sesa dikush prej liderëve politikë të bëhet president i vendit. “Në këto rrethana ose do të shkojmë në zgjedhje ose do të kemi një president nga ‘zarfi’. Pavarësisht se këto subjekte janë në koalicion të përbashkët, ka një mosbesim të thellë në mes tyre, sidomos kur vjen puna të ndarja e posteve kryesore të shtetit. Unë besoj se më shumë ka gjasë që të shkohet në zgjedhje ose të gjendet një figurë që do të mund të bëhet president me pajtimin e partive politike sesa të jetësohet ajo formula që PDK-ja të hyjë në koalicion dhe posti i presidenti t’i takojë asaj”, është shprehur Mushkolaj.
Edhe analisti tjetër politik Behxhet Shala ka thënë se mospajtimet në mes të Hotit dhe Haradinajt janë teknike dhe taktike. “Kryeministri Hoti dhe z. Haradinaj kanë pasur mosmarrëveshje prej fillimit. Në fillim ato kanë qenë të heshtura dhe tek pastaj ato kanë dalë në sipërfaqe. Mendoj se këto mosmarrëveshje janë më tepër të natyrës teknike sesa një situatë e cila mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, sepse as LDK-ja që është duke e udhëhequr qeverinë dhe as AAK-ja nuk janë të interesuara të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Pra, kjo përplasje nuk besoj se mund të përfundojë me zgjedhje të reja”, është shprehur Shala.
Ai ka thënë se vendin në zgjedhje të reja mund ta çojë vetëm çështja e zgjedhjes së presidentit të ri. “Në zgjedhje vendin mund ta çojë vetëm çështja e presidentit, pra nëse vihemi në një situatë kur do të mungojë marrëveshje politike mes partive dhe nuk do të mund të zgjedhet presidenti. Përndryshe, këto mosmarrëveshjet mes Hotit dhe Haradinajt nuk çojnë ndonjë peshë, sepse këso mosmarrëveshje kemi parë edhe më herët, dhe AAK-ja ka vazhduar të jetë pjesë e qeverisë”, ka thënë Shala. Ai ka vlerësuar se pretendimet e Haradinajt për ta marrë pozitën e presidenti janë legjitime. Sipas Shalës, Haradinaj po këmbëngul në këtë post, pasi e ka kuptuar se pa deputetët e kësaj partie nuk mund të zgjedhet presidenti i ri. “Të gjithë kanë të drejtë të kenë ambicie për president, nëse i plotësojnë kushtet e parapara me Kushtetutë. Z. Haradinaj më herët është deklaruar se është i duhuri për president. Pastaj zyrtarët e AAK-së janë deklaruar se ose do ta kenë presidentin ose do të shkojnë në zgjedhje. Çështja e presidentit nuk varet aq shumë nga partitë politike të Kosovës sa varet nga vlerësimi se kush do të duhet të bëhet president. Duhet ta kemi parasysh se z. Thaçi, përveç që ka qenë president, ai vetes i ka dhënë kompetenca që nuk i ka pasur asnjë president tjetër. Nëse e bëjmë një krahasim mes z. Thaçi dhe zonjës Jahjaga, është një dallim tepër i madh”, është shprehur ai.
Ndërsa analisti tjetër, Belul Beqaj, mendon se ka ardhur koha që presidenti të zgjedhet me vota të drejtpërdrejta nga qytetarët e Kosovës. Sipas tij, mënyra aktuale e zgjedhjes së presidentit e ka shndërruar këtë post në instrument të kalkulimeve të partive politike. “Fatkeqësisht, presidenti është shndërruar si karrem zgjedhor dhe instrument i kalkulimeve politike. LDK-ja, përkatësisht Isa Mustafa, që e ka aktualizuar këtë para kohës, sot po thotë se nuk është koha të aktualizohet çështja e presidentit. Është koha që presidenti të zgjidhet me procedurë demokratike të drejtpërdrejtë ngaqë kështu si është, në vend se të jetë simbol i unitetit dhe stabilitetit, ai po paraqitet në rolin e pengesave dhe përçarjes politike”, ka vlerësuar Beqaj.
Përplasja e Hotit dhe Haradinajt
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, që është partneri kryesor i kryeministrit Avdullah Hoti, të shtunën ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task Forcës Anti-korrupsion. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Haradinaj ka thënë se shkarkimi i kësaj force shkakton pasiguri juridike, pasi e njëjta ka hetuar dhe po hetonte raste të profilit të lartë. “Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo Task Forcë duhet të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjikë si ShBA-ja dhe BE-ja”, ka shkruar Haradinaj.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Avdullah Hoti, i cili ka vlerësuar se qeveria është e vendosur për ta forcuar rendin ligjor dhe se siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore. “Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Këtë e kemi bërë me vendimet që kemi marrë në këta muaj të qeverisjes. Drejtësia duhet ta bëjë punën sipas ligjit, e jo sipas vendimeve të qeverisë. Kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve”, ka shkruar Hoti në profilin e vet në “Facebook”.
Qeveria e Kosovës një javë më parë vendosi ta mbyllë Taskë Forcën, duke vlerësuar se kjo çështje tash duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it tashmë është ndryshuar.