Analistët: Bashkimi i Luginës me Kosovën, i pamundur

11 gusht 2018 | 12:01

Analistët politikë kanë mohuar mundësinë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën përmes korrigjimit të kufirit me Serbinë.

Teksa kanë komentuar idenë e presidenti Hashtim Thaçi për këtë çështje, Behxhet Shala dhe Imer Mushkolaj kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se kjo është e pamundur, duke shtuar se presidenti qëllimisht e ka ngritur këtë çështje përpara formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas tyre, asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Së pari, Hashim Thaçi e di shumë mirë se kurrë nuk ka shans ta bashkojë Luginën e Preshevës, sepse Serbia nuk do të pranojë asnjëherë t’ia japë Kosovës Luginën e Preshevës. Asociacioni do të jetë çmimi që Kosova duhet ta paguajë përballë Serbisë. Nuk do të ketë as ndryshim kufijsh, as shkëmbim të territoreve, as korrigjim të kufijve. Historikisht shqiptarët asnjëherë nuk kanë shënuar fitore kur kanë filluar të bëjnë lojëra me kufij. Kështu që, as kësaj radhe nuk ka shans të fitojë diçka Kosova”, ka thënë analisti Behxhet Shala.

Edhe analisti tjetër politik Imer Mushkolaj ka thënë se këto veprime të presidentit Hashim Thaçi po bëhen për shkak të asociacionit.

“Presidenti Hashim Thaçi po thotë se ka për synim ta korrigjojë kufirin duke ia kthyer Kosovës Preshevën, por duke mos i dhënë asgjë Serbisë. Kjo është e pamundur të ndodhë. Ndërkaq idetë për shkëmbim territoresh e ndarje të Kosovës janë të rrezikshme dhe aventureske. Në deklaratat e tij, Thaçi është kontrovers dhe jonkonsistent”, ka thënë Mushkolaj.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë se 21 mijë njerëz janë evakuuar nga shtegu…