Analistët bëjnë thirrje që zgjedhja e presidentit të bëhet me konsensus

26 mars 2021 | 11:31

Derisa opozita dhe opozita kanë bërë të qartë pozicionet e tyre për zgjedhjen e presidentit të ri, njohësit e rrethanave politike kanë ftuar partitë që të arrijnë një konsensus për këtë çështje. Sipas tyre, vetëm në këtë mënyrë mund të shmangen zgjedhjet e reja. Ata kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se i takon koalicionit fitues që t’i sigurojë vota e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë për gazetën “Epoka e re” se disponimi në LDK është që të votohet Vjosa Osmani për presidente. “Disponimi i LDK-së në përgjithësi po duket që është pro saj. Natyrisht ka edhe mospajtime brenda partisë, konkretisht brenda grupit parlamentar. Nëse është sfidë e parë e LDK-së se si t’i qaset zgjedhjes së Osmanit presidente, sfidë për kryetarin e ri të LDK-së është nëse do të mund t’i bindë të gjithë deputetët e LDK-së që ta votojnë znj. Osmani”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka treguar edhe arsyet pse LDK-ja do të mund ta votojë Vjosa Osmanin për presidente. “Duke e pasur parasysh disponimin publik të kryetarit, nënkryetarëve apo të anëtarëve të tjerë të kryesisë, unë pres që LDK-ja të jetë pro zgjedhjes së Osmanit presidente. Këtë do ta bëj për arsye strategjike në kuptimin e mundësisë së kthimit në LDK të elektoratit që nëpërmjet zonjës Osmani ka shkuar në LV dhe në listën e saj Guxo”, ka thënë ai.

Kurse Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se Kushtetuta e parasheh qartë mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, i takon koalicionit qeverisës që t’i sigurojë votat e nevojshme. “Kushtetuta dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e emërimit të presidentit të Republikës përcakton në mënyrë të qartë se në raundin e parë dhe të dytë nevojiten 80 deputetë për të marrë pjesë përmes votimit për presidentin. Por, nëse nuk zgjidhet presidenti deri më 5 maj vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Prandaj është përgjegjësi e koalicionit fitues që t’i sigurojë votat për presidentin”, ka thënë Miftaraj.

Edhe analisti politik Ilir Ibrahimi mendon se për zgjedhjen e presidentit të ri të gjitha partitë politike duhet të bëjnë kompromise. Ai ka deklaruar për “Epokën e re” se Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit i takon të ndërtojë këtë konsensus politik. “LV-ja duhet të jetë subjekti që duhet ta ndërtojë konsensusin e duhur dhe të nevojshëm për t’i formuar institucionet bazuar në mandatin e marrë nga votuesi. Edhe partitë e tjera kanë përgjegjësitë e tyre për arritjen e konsensusit të nevojshëm. Duhet të ketë një frymë kompromisi të të gjithëve. Nëse vazhdohet me qëndrimin ‘ja si them unë, e askush tjetër’, kam frikë se do të vazhdohet me përvojën e së kaluarës e cila është karakterizuar vetëm nga bllokimi dhe asnjëherë nga kompromisi”, ka thënë Ibrahimi.

 

Moszgjedhja e presidentit thëllon krizën

Analisti politik Ilir Ibrahimi ka bërë me dije se mosarritja e një marrëveshje politike në mes të partive politike për çështjen e presidentit mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja. “Kjo pa dyshim se është e dëmshme për vendin sepse mund të na çojë sërish në zgjedhje. Në kohën kur vendi ka nevojë për një qeveri me mandat të plotë për t’u përballur me sfidat që kemi përpara, nuk e kemi luksin të vazhdojmë të qeverisemi nga një qeveri kujdestare e cila nuk e ka as mandatin e as motivin për t’u marrë me këtë situatë”, është shprehur Ibrahimi.

Kurse, analisti Imer Mushkolaj ka thënë se nuk e sheh si alternativë zgjedhjen e një presidenti konsensual. “Propozimet për president konsensual mund ta zgjasin edhe më shumë krizën, sepse dikush mund të jetë konsensual për LV-në dhe LDK-në, por nuk mund të jetë konsensual për pjesën tjetër të opozitës. Kështu që, është problem të gjendet personi që do të jetë konsensual për të gjithë”, ka thënë ai. Sipas Mushkolajt, pas zgjedhjes së presidentit partitë politike duhet të bëjnë reformën e nevojshme kushtetuese për këtë çështje. “Unë besoj se partitë politike tash pas zgjedhjes së presidentit urgjentisht duhet të merren vesh për ta kryer reformën zgjedhore, në mënyrë që në të ardhmen presidenti të zgjidhet direkt prej qytetarëve. Përndryshe, ne si shoqëri do të ballafaqohemi vazhdimisht me situata të tilla, ku presidenti, për fat të keq, është një post që hyn në pazare të partive politike”, ka thënë ai.

Një ditë më parë kryetari i Lidhjes Demokratike i Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka takuar kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, por ende kjo parti nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Pas takimit ai ka thënë se do të takohen përsëri me Vjosa Osmanin. “Tani ne kemi biseduar rreth rolit të saj të ardhshëm. Do të kemi nevojë për qartësime shtesë dhe do të kemi kohë për konsultime shtesë brenda partisë dhe në momentin që përfundojnë këto dy procese, atëherë do ta kemi të qartë edhe vendimin përfundimtar. Takimi ka qenë konstruktiv dhe pozitiv”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja e kanë bërë të qartë se nuk kanë votë për Vjosa Osmanin presidente.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka pritur në takim kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin. Sipas njoftimit të qeverisë, Osmani e ka uruar kryeministrin Kurti për detyrën e re, duke i dëshiruar atij dhe kabinetit qeveritar suksese për përmbushjen e zotimeve dhe për tejkalimin e sfidave. “Kryeministri Kurti e falënderoi znj. Osmani dhe shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim institucional për shtetndërtim demokratik dhe përparim të gjithanshëm të vendit tonë”, është theksuar në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Ditë më parë Kurti ka paralajmëruar se shumë shpejt do ta thërrasë seancën parlamentare për zgjedhjen e presidentit.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëmi ekonomik që po shkakton bllokimi i kanalit të Suezit…