Analistët: Dialogu do të ketë rol përcaktues për krijimin e koalicionit qeverisës
Njohësi i rrethanave politike Agon Maliqi dhe politologu Belul Beqaj kanë vlerësuar se procesi i dialogut me Serbinë do të ketë rol përcaktues për krijimin e koalicionit qeverisës.
Ata kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se prioritet i qeverisë së re do të jetë vazhdimi i dialogut për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Njohësi i proceseve politike dhe zgjedhore, Agon Maliqi, ka thënë se aktualisht është vështirë të përcaktohet se kush do të jetë në pozitë dhe kush në opozitë.
Megjithatë, sipas tij, një gjë nuk duhet harruar, se dialogu me Serbinë do të luajë rol shumë të rëndësishëm, në mos edhe përcaktues për krijimin e koalicionit qeverisës.
“Kjo pjesë mbetet shumë spekulative. Disa gjëra, megjithatë, duken më qartë. Duket vështirë i paramendueshëm skenari që PDK-ja të mbetet në qeveri nëse nuk del në vend të parë. Nisma-AKR-PD dhe AAK-PSD në anën tjetër po pozicionohen si partnerë koalicioni, të dyja me preferencë për LDK-në. Kushdo që e merr vendin e parë do të ketë ‘meny të gjerë’ dhe do të jetë në pozitë të fortë negociuese. Por le ta themi se LV-ja e ka menynë e partnerëve më të ngushtë sepse shihet si partnere e vështirë. LDK-ja në vend të parë do të ishte në pozitë më komode. Gjithashtu, një gjë që nuk duhet harruar është se dialogu me Serbinë, i cili e çoi qeverinë e kaluar drejt rënies, do të luajë rol shumë të rëndësishëm, në mos edhe përcaktues për krijimin e koalicionit”, ka thënë Maliqi në një intervistë për gazetën “Epoka e re”.
Ndërsa politologu Belul Beqaj nuk parasheh problematike çështjen e formimit të koalicionit qeverisës.
Ai ka thënë se qeveria do të konstituohet dhe prioriteti i parë i saj do të jetë prioriteti i “miqve ndërkombëtarë”.
“Qeveria do të konstituohet dhe prioriteti i parë i qeverisë do të jetë prioriteti i ‘miqve ndërkombëtarë’. Fatkeqësisht, keqqeverisja e deritanishme i ka bindur ndërkombëtarët se partitë politike të Kosovës dhe lidreshipi politik i tyre vazhdimisht e ka pasur prioritet pushtetin para shtetit dhe kombit. Edhe këtë herë, fatkeqësisht, do të jetë kështu, derisa Kosova të mos krijojë lidreship të ndershëm dhe të aftë!”, ka thënë Beqaj në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ditë më parë.