Analistët: Dialogu i Brukselit, jotransparent

16 shtator 2020 | 11:23

Njohësit e rrethanave politike në vend e kanë kritikuar procesin e dialogut të Brukselit për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë për mostransparencë. Ata kanë vlerësuar se kryeministri Avdullah Hoti duhet të ofrojë më shumë informacione për Kuvendin e Kosovës dhe publikun e gjerë për këtë proces.

Analisti politik Imer Musholaj ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se ndryshe nga procesi i Uashingtonit, ku është ditur se çka do të bisedohet, procesi i Brukselit po karakterizohet me mostransparencë të madhe. “Për fat të keq, procesi i Brukselit tani është duke u karakterizuar me një jotransparencë shumë të madhe. Ndryshe prej procesit të Uashingtoni që në njëfarë forme ka qenë e ditur se për çka po bëhet fjalë apo se cilat do të jenë temat, tash në procesin e Brukselit është një mostransparencë jashtëzakonisht e madhe. Unë besoj se Hoti duhet ta gjejë mënyrën që publikut t’ia bëjë të qartë se për çfarë po diskuton  në Bruksel”, ka thënë Musholaj.

Ai ka bërë me dije se kryeministri paraprakisht duhet të tregojë se çka do të bisedojë në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. “Është e domosdoshme që të sqarohen paraprakisht temat që do të diskutohen, sepse është jashtëzakonisht e frikshme që ai të thotë se do të diskutohet për asociacionin , ndërkohë që nuk dihet se për cilin version të asociacionit bëhet fjalë, për atë që është  nënshkruar në Bruksel, apo për atë që e ka vlerësuar Gjykata Kushtetuese si jokushtetuese”, ka deklaruar Mushkolaj.

Edhe Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI, ka vlerësuar se kryeministri Avdullah Hoti ka ofruar vetëm informacione sipërfaqësore për këtë proces. “Fatkeqësisht, edhe pse kryeministri ka raportuar edhe më herët në Kuvend lidhur me këtë temë, raportimet e tij kanë qenë shumë sipërfaqësore dhe ai është rezervuar për të ofruar informacione konkrete lidhur me zhvillimet në dialog, duke e bërë këtë fazë të dialogut shumë jotransparente për Kuvendin dhe publikun e gjerë”, ka deklaruar Haxholli. Sipas saj, duhet të dihet më shumë për temat që diskutohen dhe kërkesat e Kosovës në këtë proces. “Do të ishte mirë që në raportimin e radhës kryeministri të ofrojë të dhëna më konkrete lidhur me agjendën dhe temat e diskutimit në Bruksel si dhe kërkesat e Kosovës në këto takime”, ka deklaruar Haxholli.

 

Kosova shkoi në Uashington pa platformë

Analisti Imer Mushkolaj ka deklaruar se delegacioni i Kosovës ka shkuar në takimin e Uashingtonit pa platformë për dialog. Sipas tij, kjo ka bërë që pastaj marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator të interpretohet në mënyra të ndryshme. “Së pari, delegacioni i Kosovës para se të nisej në Uashington është dashur ta ketë një platformë të qartë. Fatkeqësisht, delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga kryeministri Hoti, nuk ka pasur platformë të qartë, sepse mungesa e platformës pastaj ka bërë që zotimet që janë nënshkruar në njëfarë forme të interpretohen ndryshe, varësisht prej perspektivës së partive në pushtet apo partive opozitare”, ka deklaruar Mushkolaj.

Sipas tij, opinioni publik nuk e di nëse është negociuar në këtë takim. “Marrëveshja është bërë transparente pasi është nënshkruar, mirëpo ne nuk e dimë nëse ndërkohë janë negociuar të gjitha ato pika të cilat janë nënshkruar. Është e natyrshme që delegacionet, edhe delegacioni i Kosovës të thotë se ka pasur negociata. Unë dyshoj se ka pasur negociata të thella në këtë takim”, ka deklaruar ai, duke shprehur skepticizëm se ka pasur negociata të mirëfillta për arritjen e marrëveshjes së Uashingtonit. “Besoj se këto zotime kanë qenë në letër paraprakisht dhe palët vetëm i kanë konsumuar si të tilla. Pra, nuk ka pasur negociata në kuptimin klasik të fjalës. Këto përplasjet e brendshme të Kosovës  kanë sjellë situatën që Hoti të shkojë atje me atë premtimin se nuk do të negociohet asgjë përpos njohjes reciproke, që doli të jetë një blof i tij i madh”, ka vlerësuar ai.

Kurse Violeta Haxholli nga KDI-ja ka deklaruar se kryeministri ka për obligim kushtetues të raportojë në Kuvend për të gjitha takimet që kanë të bëjnë me dialogun Kosovë – Serbi. “Siç parashihet me dispozita kushtetuese, ekzekutivi (kryeministri në koordinim me presidentin) udhëheq politikën e jashtme, në këtë rast edhe dialogun me Serbinë, ndërsa Kuvendi është organi më i lartë mbikëqyrës i këtij procesi. Përfaqësuesit ekzekutivë e kanë obligim kushtetues që të raportojnë para Kuvendit lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar ajo, duke përmendur mekanizmat e tjerë parlamentarë që kanë deputetët për ta kontrolluar kryeministrin. “Deputetët kanë në dispozicion mekanizma të ndryshëm të mbikëqyrjes siç janë pyetjet parlamentare, debatet, interpelancat, rezolutat dhe thirrjet në raportim. Përveç raportimeve në seanca, deputetët kanë mundësi që t’i thërrasin përfaqësuesit ekzekutivë edhe për raportime në komisione parlamentare për tema të caktuara të dialogut dhe marrëveshjes së arritur, sipas fushëveprimit të komisioneve”, ka thënë ajo.

Më herët, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kërkuar që deputetët duhet të informohen paraprakisht për takimet e Brukselit dhe takimet e tjera që kanë të bëjnë me bisedimet Kosovës – Serbi. Ajo pati deklaruar për “Epokën e re” se për takimin e Uashingtonit deputetët anëtarë të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme nuk e kanë pasur asnjë informacion zyrtar. “Si Komision për Punë të Jashtme ne i kemi mbajtur disa mbledhje, por në të cilat nuk kemi marrë as informacione sipërfaqësore për procesin e dialogut. Kurse sa i përket takimit të 4 shtatorit, ne nuk e kemi asnjë informatë zyrtare, përveç atyre që janë thënë në portale dhe studio televizive. Kjo tregon joseriozitetin e kryeministrit si udhëheqës i këtij procesi”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tottenham mund ta lejojë Dele Alin t’i bashkohet Real Madridit…